Dhuna ndaj tre shqiptarëve në Mal të Zi, dyshohet se konflikti nisi për radhën e zbritjes nga trageti

Dhuna ndaj 3 shqiptarëve Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi në Herceg Novi të Malit të Zi dyshohet se zanafillën e ka në momentin që ata po zbrisnin nga trageti.
Burime bëjnë me dije se shqiptarët janë konfliktuar me shtetas të tjerë malazez për radhën e zbritjes nga trageti. Konflikti verbal i nisur aty, me sa duket nuk është arritur të mbyllet në moment.
Mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për të njëjtët persona që kanë ndjekur makinën e shqiptarëve, apo kanë qenë të tjerë të cilët janë njoftuar miq të tyre malazez për të goditur shqiptarët.
Të tre në dëshmitë e tyre nuk e kanë përmendur faktin që ka pasur një përplasje gjatë kohës që po zbrisnin nga trageti. Policia malazeze akoma nuk ka lokalizuar agresorët, pjesa më e madhe e të cilëve janë identifikuar tashmë.
/Shqip.com