Lajme

Dhjetëra misione diplomatike, por vetëm shtatë atashe ushtarakë

Uniforma e ushtarëve të FSK-së

Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj me 17 shkurt. Që nga shpallja e pavarësisë me 2008, në gjithë botën Kosova ka mbi 60 ambasada e konsullata.

Nga mbi 60 ambasada dhe konsullata, sa ka Republika e Kosovës në botë, në vetëm shtatë prej tyre ka atashe ushtarakë.

Këta të dërguar të Kosovës shërbejnë aktualisht në misionet në SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Francë, Turqi, Shqipëri dhe Kroaci.

Në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës thonë se janë në proces të vlerësimeve të brendshme me Ministrinë e Punëve të Jashtme, për të rritur numrin e atasheve në shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në shkurt të vitit 2008.

“Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, aktualisht, ka numrin e atasheve të mbrojtjes në përputhje me politikat e saj në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe të procesit të integrimeve në strukturat rajonale dhe euroatlantike të mbrojtjes”, thotë për Radion Evropa e Lirë kolonel Sefer Isufi, shef për komunikime strategjike në Ministrinë e Mbrojtjes.

Sipas ligjit në Kosovë, detyrë e atasheve të mbrojtjes është që të zhvillojnë dhe promovojnë interesat e mbrojtjes në vendin ku janë caktuar, si dhe të forcojnë marrëdhëniet ushtarake dhe të mbrojtjes me atë vend.

Atashe i mbrojtjes është një pjesëtar aktiv i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai nuk është diplomat karriere, por gëzon imunitet diplomatik sipas akteve dhe konventave ndërkombëtare në fuqi./Shqip.com