Lajme

Dëshmitari kundër Mustafës pretendon se “zhvarrosën një trup që i kishte gjymtyrët e thyera”

Dëshmitari i tetë në Gjykatën Speciale kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ka thënë se ka marrë pjesë në zhvarrimin e një trupi i cili sipas tij “i kishte gjymtyrët e thyera”.

Madje, pretendon se aty ndodhej edhe një trup tjetër.

Pjesa kryesore e seancës është mbajtur private.

Por, një pjesë ka mbetur e hapur për publikun, në të cilën prokurorja Silvia D’ Ascolli pyet dëshmitarin.

Diskutimi i plotë:

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Ti the se ti dhe të tjerët e zhvarrosët trupin, që trupi ishte i mbështjellur me një batanije. A mund të përshkruash se çfarë tjetër pat në trupin?

Dëshmitari: Kur e kemi çelë prej batanijes, qebes, e kemi vërejtur që i ka këmbët e thyera, duart e thyera tre plumba prapa shpinës.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: A na thua dot se si e vutë re ju që i kishte duart dhe këmbët e thyera?

Dëshmitari: U dokshin, u dokshin të thyera në lëvizje, kur e kemi kap u dokshin këmbët dhe duart që i ka të thyera.

Gjykata Speciale në Hagë

Dëshmitari: Edhe plumbat prapa shpinës i kemi pa birat që i ka pasur të plumbave… Trupin e kena zhvarrosë, e kena shti në arkivol.

Tutje, prokurorja e ka pyetur dëshmitarin për gjendjen në të cilën e kanë lënë varrin prej të cilit ai pretendon të kenë zhvarrosur një person, por përgjigja e tij ka vijuar me përmbajtje të redaktuar për publikun.