Deri në 40 konsumator shkyçen brenda dite nga rrjeti elektrik për keqpërdorim të rrymës

Për shkak të vjedhjes së rrymës, deri në 40 konsumatorë shkyçen brenda një dite nga rrjeti i elektrik, thonë punonjës të Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike të Kosovës, për Radio Evropën e Lirë.
Sipas zëdhënësit të KEDS-it, Viktor Buzhala, KEDS-i për çdo vit dorëzon në gjykata rreth 5.000 kallëzime penale për keqpërdorim të energjisë elektrike.
Siç ka raportuar REL, Buzhala thotë se nëse këto raste do të shqyrtoheshin nga gjykatat, “ky problem nuk do të ekzistonte”.
“Rreth 80 për qind e lëndëve për një kohë të gjatë nuk janë shqyrtuar fare”, thekson Buzhala.
Koordinatori për kontrollimin e humbjeve në KEDS, Fatos Çeku, tregon për Radion Evropa e Lirë se në çfarë forme në shumicën e rasteve vidhet rryma.

“Vjedhjet bëhen në forma të ndryshme, si për shembull ka linja direkte jashtë pikës matëse me kabllo të ndryshëm, ndërprerës, prekje të njësorit, e të tjera”, thotë Çeku.
Kohëve të fundit, KEDS ka rritur kontrollet tek ekonomitë familjare dhe komerciale, që dyshohet se shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë të paautorizuar.
Sipas institucioneve shtetërore, në Kosovë rreth 19 për qind e konsumit të përgjithshëm të energjisë paraqitet si humbje teknike dhe komerciale.
Humbjet teknike të energjisë elektrike janë ato që humbin në rrjetin shpërndarës, ndërkaq ato komerciale janë konsum i paautorizuar./Shqip.com