Lajme

Hoti: Projektbuxheti mund të përfundoj në Gjykatë Kushtetuese

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Deputeti i LDK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në seancën e Kuvendit ku po diskutohet Projektbuxheti i vitit 2023, ka thënë se nëse kalon kështu siç është prezantuar projektligji, rrezikon të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Ai është ndalur tek ekzistenca e një neni që prek buxhetin e komunave, duke përmendur faktin se shumica e buxhetit ka shkuar në komunat ku udhëheqë partia në pushtet.

“Atë që kemi kërkuar në buxhet është reflektimi i premtimeve të juaja elektorale, por edhe atë nuk e keni bërë. Ju e keni një nen që prek buxhetin e komunave, por nëse kalon ky buxhet mund të përfundoj në Gjykatën Kushtetuese”, tha deputeti Hoti.

Për më tepër sipas tij, është për të ardhur keq mënyra se si është hartuar Projektbuxheti për vitin e ardhshëm.

“Kontingjenti prej 9 për qind e buxhetit është antiligjore. Në Zyrën e Kryeministrit i keni lënë 2 milionë euro për lobim. Është për të ardhur keq se si është hartuar ky buxhet”, përfundoi Hoti.

Në fund të muajit tetor, Qeveria e Kosovës kishte miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2023, i cili pritet të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.

/Shqip.com