Art Jetese

Dëmet që temperaturat e larta shkaktojnë në organizëm dhe trajtimet e menjëhershme

Ekspozimi ndaj temperaturave tepër të larta shkakton dy probleme në dukje të ngjashme.

Bëhet fjalë për goditjen e diellit dhe lodhjen nga vapa, të cilat mund të përbëjnë një kërcënim madhor për shëndetin.

Truri dhe sistemi qendror nervor janë shumë të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta.

Kjo është arsyeja përse pas ekspozimit të lartë në diell dhe temperatura të nxehta, njeriu ndihet konfuz, sillet çuditshëm, ka probleme me kujtesën dhe vështirësi në artikulimin e mendimeve.

Njerëzit që vuajnë nga diabeti apo problemet me veshkat preken më shumë nga dehidratimi, problemet me mëlçinë e të tjera.

Një studim i kohëve të fundit paralajmëron se deri në vitin 2020, numri i vdekjeve si pasojë e temperaturave të larta do të rritet me 66%.

Goditja nga dielli

Nëse temperatura e trupit rritet mbi 40 gradë, atëherë goditja nga dielli mund të dëmtojë trurin, sistemin qarkullues, mushkëritë, mëlçinë, veshkat, sistemin tretës, muskujt, shkruan agroweb.

Goditja nga dielli është një problem shumë serioz dhe kërcënues për jetën.

Drobitja nga vapa

Bëhet fjalë për një problem më pak serioz se goditja nga dielli.

Sipas studimeve, ekspozimi ndaj temperaturave të larta drobit organizmin, shkakton të vjella, kontraktime muskulore, djersitje të vazhdueshme, gjendje të fikëti dhe dhimbje koke.

Edhe në këtë rast, njeriu humbet vetëdijen, mund të ketë vështirësi në artikulimin e fjalëve dhe mendimeve dhe mund të bjerë në koma.

Trajtimet e domosdoshme

Nëse vini re shenja të drobitjes nga vapa ose goditjes nga dielli duhet të merrni menjëherë hapat e mëposhtëm: Zhvendosuni menjëherë në hije, mos qëndroni më në diell, ndizni kondicionerin ose freskuese, lajeni trupin me ujë të vakët, pini ujë ose lëngje të tjera.

Faktorët e rrezikut

Disa njerëz janë më të predispozuar të preken nga pasojat e mësipërme si rezultat i ekspozimit të lartë ndaj temperaturave përvëluese.

Njerëzit që janë mbipeshë, janë djegur nga dielli, të miturit, të moshuarit dhe ata që marrin ilaçe për zemrën duhet të tregojnë më shumë kujdes.