Lajme

Dega e Vetëvendosjes në Prizren: Prokuroria të veprojë ndaj Nehat Elshanit dhe Shaqir Totaj

Lëvizja Vetëvendosje.

Dega e Lëvizjes Vetëvendosjes në Prizren ka kërkuar nga Prokuroria të ndërmarrë masa ndaj Nehat Elshanit dhe Shaqir Totajt.

Sipas Degës së VV-së, shefi i kabininetit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Nehat Elshani ka kërcënuar dhe fyer rëndë zyrtarën e Drejtorisë së Urbanizmit XH.GJ.

“Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE në Prizren dënon ashpër kërcënimet e shefit të kabinetit  të Komunës së Prizrenit Nehat Elshani ndaj zyrtarëve të Komunës së Prizrenit. Është kërcënuar fizikisht dhe fyer rëndë zyrtarja e Drejtorisë së Urbanizmit XH.GJ. nga shefi i kabinetit te Kryetarit të Komunës, i cili së bashku me Kryetarin Shaqir Totaj kërkonin të jepej leje ndërtimi një objekti shumëkatësh në lagjen Bazhdarana jashtë rregullave urbanistike dhe ligjeve në fuqi”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje-Dega në Prizren.

Shërbyesit civil dhe zyrtarët profesional të Komunës tonë veprojnë konform ligjeve dhe cfardo kërcënimi i tyre për t’i detyruar të veprojnë në kundërshtim me ligjin paraqet vepër penale, thuhet më tutje në reagim.

“Kjo formë e ushtrimit të pushtetit nga PDK nuk është e re. Dhuna dhe korrupsioni janë natyrë e pandryshushme e saj. Kërcënimet dhe shantazhet ndaj zyrtarëve të Komunës vijnë si rezultat i pa aftësisë dhe nevojës së pashtershme të tyre për korrupsion dhe abuzim. Ky primitivizëm në qeverisje nuk është i pranueshëm për qytetarët e Prizrenit”, thuhet më tutje në reagim.

Ftojmë organet e drejtësisë të hetojnë rastin dhe veprojnë menjëherë sipas ligjit, kanë shtuar më tutje nga Lëvizja Vetëvendosje-Dega në Prizren./Shqip.com