Lajme

Daut Haradinaj jep dorëheqje nga pozita e asamblistit

Kandidati për Kryetar të Prishtinës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Daut Haradinaj njoftoi të enjten dorëheqjen nga pozita e asamblistit në Komunën e Prishtinës.

Siç tha ai, këtë pozitë e ka lënë për të ia liruar vendin një kandidati tjetër. Bëhet fjalë për Taulant Maxharrajn.

Haradinaj, i cili ishte kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, tha se garës për këtë komunë i është futur me të vetmin parim – ndryshimin.

“Gjatë tërë fushatës kemi përkrahur ndryshimin dhe të njëjtin do të vazhdojmë ta përkrahim. Ne nuk kemi hyrë në garë për pazare e as për kalkulime”, shkroi ai në Facebook.

“Aleanca në Prishtinë ka korrur sukses të konsiderueshëm dhe do të punojmë bashkë në konsolidimin e degëve të Prishtinës me kuadro të reja dhe profesionale. Ne do vazhdojmë përkushtimin tonë në cilindo pozicion që jemi”, shtoi Haradinaj.

“Edhe njëherë i përgëzova fituesit e garës për asamble dhe i njoftova për vendimin qe unë tërhiqem nga asambleja për t’ia liruar vendin Taulant Maxharrajt. Suksese e ju priftë e mbara!”./SHQIP.com