Daka: Osmani më ofroi mirënjohje në këmbim të dorëheqjes

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, “i kishte ofruar asaj mirënjohje në këmbim të dorëheqjes”.
Daka këtë e tha në Rubikon, të martën – po të njëjtën ditë Osmani deklaroi se “ish-kryetarja e KQZ-së kishte shkelur integritetin e institucionit”.
“Është kërkuar nga unë që të japë dorëheqje, çka unë natyrisht nuk kam pranuar. Po e ka kërkuar direkt presidentja”.
“E arsyetoi se tashmë ka ndodhur shumë ndryshime, se unë nuk jam në gjendje të menaxhojë me mbledhjet e KQZ-së. Dhe tha është më mirë të shkosh. Do t’u japim një mirënjohje për punën tuaj të deritashmë”, ka thënë ajo.
Daka pretendoi se ishte ftuar në zyrën e Osmanit për të dhënë dorëheqje.
“Po, ka qenë në mëngjes diku në orën 8:30 dhe jam ftuar që të shkojë në zyre të presidentes nga ana e këshilltarit të saj”.
“Me të thënë të drejtën ne ishim në pritje të shpalljes së zgjedhjeve. Ne të gjithë e dinim se tashmë ishin në pyetje vetëm orët se kur do të shpallen zgjedhjet”.
“Dhe unë në fakt mendoja se jam ftuar që të konsultohem për datën e zgjedhjeve, siç janë konsultuar edhe presidentët e tjerë me mua për shpalljen e datës së zgjedhjeve. Por, doli që në fakt unë u ftova që të japë dorëheqje”, deklaroi Daka.
Çka tha Osmani për Dakën?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Valdete Daka si kryetare e Komisionit Qendror, ka shkelur integritetin e institucionit.
“Daka është dashur të jetë e pavarur dhe ta respektonte institucionit”.
Sipas saj, ish-kryetarja e KQZ-së, nuk ka qenë e barabartë me gjithë qytetarët duke e konsideruar “diasporën si njerëz të kategorisë së dytë”.
Ajo në “Kanal 10”, theksoi se Daka ka të drejtë që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese nuk rrëzon president, atë mund ta bëjë vetëm Kuvendi.
Osmani është shprehur e bindur se vendimi i saj ka qenë ligjor.
Por, ashtu nuk mendon Valdete Daka, e cila u shkarkua nga Vjosa Osmani.
Opozita kishte thënë se “presidentja e shkarkoi Dakën për shkak të Lëvizjes Vetëvendosje”.
“Unë nuk ia bëjë qefin askujt”, tha presidentja e Kosovës. /Shqip.com