Daka i drejtohet Avokatit të Popullit për shkarkimin nga Osmani, kërkon ta procedojë në Kushtetuese

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka dërguar të mërkurën tek Avokati i Popullit, kërkesë për të shqyrtuar shkarkimin e saj nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Kjo kërkesë është dorëzuar disa ditë pasi misioni i Bashkimit Evropian prezantoi një raport fillestar mbi procesin zgjedhor të 17 tetorit, ku thuhet se ekziston një dispozitë ligjore e paqartë lidhur me vendimin e presidentes Osmani, për shkarkimin e Dakës.
Kjo e fundit pas dorëzimit të kërkesës është deklaruar për media, ku ka thënë se beson që pas gjashtë muajsh kjo çështje do të procedohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Konsideroj që pas këtyre raporteve që kanë dal nga BE-ja edhe Avokati i Popullit ka bazë ligjore që kërkesën time ta shqyrtojë në Gjykatën Kushtetuese”.
Daka është shprehur se deri tani ka pritur që kjo çështje do të ngritët nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
“Meqë deputetët nuk kanë pasur gatishmëri dhe që ishim në fushatë zgjedhore nuk kam dashur askush të ndikohet nga kjo kërkesë e imja”.
“Nuk jam ankuar në gjykatat tjera sepse konsideroj që nuk ka mundësi të vlerësohet vendimi i presidentit në gjykata të rregullta”.
Sipas saj, presidentja Osmani nëse ka para ndërhyrje të paligjshme nga ana e Dakës, “është dashur të bëjë kallëzim penal dhe jo të më shkarkojë”./SHQIP.com