Lajme Ballkan

Daçiq kërkon largimin e Kurtit: Ai është shkaku i tensioneve në veri

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se “KFOR-it dhe EULEX-it i mungojnë vendosmëria për të parandaluar presionin ndaj serbëve dhe dhunën e ushtruar nga Prishtina”.

Daçiq thotë se pret që këto misione të mbrojnë sigurinë e serbëve, dhe deri më tani është dëshmuar se nuk është gjithmonë kështu.

“Ne e respektojmë edhe KFOR-in edhe EULEX-in dhe bashkëpunojmë me ta sa më shumë që ata të përmbushin mandatin e tyre, të bëjnë punën për të cilën janë atje. Por atyre u mungon gjithnjë e më shumë vendosmëria për të parandaluar presionin ndaj serbëve dhe dhunën e ushtruar nga Prishtina.

Ne nuk kërkojmë prej tyre asgjë më shumë se sa shkruhet në obligimet e tyre, por kërkojmë që ato obligime t’i përmbushin maksimalisht, që të mos tolerojnë destabilitetin gjithnjë në rritje të prodhuar nga qeveria në Prishtinë. Ne i mbajmë ata përgjegjës për mbrojtjen e sigurisë së serbëve, ata janë adresa me të cilën ne komunikojmë dhe nga të cilët kërkojmë që ta bëjnë punën e tyre dhe nuk është gjithmonë kështu”, thotë Daçiq.

I pyetur se si të tejkalohet situata në Kosovë, Daçiq thotë se e vetmja rrugë është largimi i shkakut, që në këtë rast është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Shkaku i incidenteve është vetëm sjellja e Kurtit dhe vendimet e qeverisë në Prishtinë. Këtë po kërkojmë gjatë gjithë kohës, jo nga Kurti sepse kjo do të ishte e kotë, por nga të gjithë ata që mund ta forcojnë atë të mos prodhojë kriza.

Çfarë duhet të ndodhë tjetër që ata që munden, evropianët dhe amerikanët, të bëjnë presion mbi Kurtin që të ndalojë të shkaktojë incidente? E kam të qartë pse i dorëzohen, si një fëmijë i llastuar, ai ishte i preferuari i tyre – gjoja luftëtar kundër korrupsionit, një demokrat i madh, një njeri i së ardhmes. Dhe doli – një shovinist dhe ngacmues ordiner që e mban Kosovën në një gjendje tensioni të vazhdueshëm dhe kërcënim konfliktesh”, ka theksuar Daçiq, për mediumin Blic.

/Shqip.com