Lajme Ballkan

Ç’pritet nga takimi Kurti-Vuçiç? Flet aktivistja Sonja Biserko për Shqip.com

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, sonja Biserko

Në dritën e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës pas masave të reja reciproke të qeverisë kosovare, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, aranzhoi takim të Nivelit të Lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet me Presidentit e Serbisë, Aleksnadër Vuçiç në Bruksel, katër muaj pas takimit informal në Berlin, dhe pas vizitave përkatëse në kancelarinë federale gjermane.

Agjenda e diskutimeve nuk është shpalosur nga Brukseli, derisa kanë shtuar se përmbajtja e takimit do të bëhet e ditur ditëve në vijim.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko, në një prononcim për Shqip.com, nuk pret shumë nga ky takim.

Kjo ngase, siç shprehet ajo, “Serbia nuk është e përgatitur për asnjë lloj dialogu që Kosovën e trajton për palë të barabartë e mbi baza reciproke”.

E pikërisht këtë barazi e reciprocitet, thekson aktivistja serbe, “është ajo çfarë ka insistuar kryeministri kosovar, Albin Kurti”.

“Sidoqoftë, siç e dini, Serbia qëndron mes Rusisë dhe Perëndimit, dhe deri më sot ka provuar të luajë këtë lojën e të qënit me të dyja palët”.

“Është e qartë se kjo hapësirë po i shkrihet. Perëndimi do t’i kërkojë që të jep më shumë, e posaçërisht në çështjen me Kosovën që është pjesë e politikës amerikane por edhe e BE-së”, thotë ajo.

Megjithëkëtë, Biserko thotë se në këtë takim Vuçiç do të kërkojë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Kjo, edhe sepse vetë amerikanët e kërkuan që të nisin negociatat për Asociacionin, thotë Biserko.

“Problemi me Asocacionin në të vërtetë ka të bëjë me interpretimin e të dyja palëve, me mënyrën si ata e shohin”.

Pyetur rreth asaj se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se nuk mund të ketë asociacion të ndërtuar mbi baza ose linja etnike por në baza “gjeografike, ekonomike ose zhvillimore”, Biserko thotë se “pajtohem me atë”.

“Sepse gjithmonë ka rrezik kur aplikohet parimi etnik dhe përfundon në Republika Srpska”.

“Mendoj se pas tërë këtyre viteve, komuniteti politik perëndimor është në dijeni se çfarë do të thotë ajo, që do të çonte në shtetit jofunksional të Kosovës që edhe tashmë është e bllokuar nga komuniteti serb që ua shpërfill sovranitetin në këtë pjesë të territorit”, vlerëson ajo.

Në këtë kontekst, shprehet Biserko, “Vuçiç do të insistojë pikërisht në këtë”.

Por, në anën tjetër “kryeministri kosovar do të insistojë në kriteret e tij, sepse ai e di që kjo do të jetë një nga prioritetet kryesore siç është shprehur nga amerikanët, dhe përmes arbitrimit amerikan”, thotë ajo.

“Shpresoj se zgjidhja e rafinuar, po i referohem komunitetit perëndimor, të jetë në atë mënyrë që do të garantojë funksionalitetin e Kosovës”.

“Prandaj, Vuçiç do të luaj me këtë. Ngase kjo është një diçka të cilës i rikthehen gjithmonë, dhe kjo është një nga narracionet kryesore në publikun serb që Kosova nuk dëshiron të vazhdojë me Planin e Ahtisaarit dhe marrëveshjet e nënshkruara”, elaboron Biserko.

Dy vendimet e reja të qeverisë së Kosovës nuk diskutohen në Bruksel, thotë ajo

Kjo çështja e targave është punë që është nënshkruar vite më parë, rikujton Sonja Biserko.

Mirëpo i gjithë debati rreth dy masave të reja reciproke, vjen nga Serbia, vlerëson aktivistja.

“Është një diçka që ka qenë deshur të zbatohet shumë kohë më parë, dhe nuk është çështje për t’u diskutuar tani në Bruksel”.

Përndryshe, sipas saj, “kjo temë nuk ekziston fare”.

Njëjtë është shprehu edhe Kurti në një intervistë për REL-në, se vendimet e qeverisë “nuk diskutohet në Bruksel”.

Roli amerikan

ShBA duhet dhe do të ketë rol, beson ajo. Dhe kjo sidomos për shkak se “janë ata që mund t’u bëjnë presion të dyja palëve”.

“Por edhe sepse është një nga prioritetet kryesore të tyre, për të përmbyllur çështjet, e që aty është edhe çështja e Kosovës. Që të finalizojë pavarësinë e saj. Prandaj, janë amerikanët që sa i përket kësaj çështje janë më efektivët”.

“Ka shumë vite që s’janë me rajonin, ose si të themi, të shqetësuar me të. Por, në kontekstin e luftës në Ukrainë, dhe potencialit rus për të destabilizuar rajonin, jo në kuptimin e një lufte, por rreth të shtyrit para sikur kjo marrëveshja në Mal të Zi me Kishën Ortodokse Serbe e të tjera”, thotë ajo.

“Ka shumë mënyra për të ngritur tensione në rajon, prandaj vendet në Ballkanin Perëndimor kanë potenciale të brendshme për keqkuptime, dhe tensione me Serbinë e cila është në gjendje të ngrejë nga vetmhja komunitetin sebr kurdo që dëshiron”.

“Kështu që, mendoj se është e rëndësishme që ky dialog të shkojë para. Por, nuk e d, të shohim se si do të shkojë më 18 gusht. Nuk pres shumë, por mbase mund të jetë fillimi i diçkaje. Por, Serbia, në këtë fazë, nuk është e gatshme të dorëzojë diçka”, përfundon Sonja Biserko për “Shqip.com”.