Lajme

Clinton kujton vizitën me Albright në Kosovë: Kaluam një ditë të lumtur së bashku

Bill Clinton

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, gjatë ceremonisë nderuese për ish-sekretaren Madeleine Albright, ka kujtuar udhëtimin e fundit në Kosovë, në 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s.

Clinton tha se trashëgimia e Albrightit për kontributin në Kosovë, Bosnjë dhe shtete të tjera, vazhdon të nderohet.

“Kaluam një ditë të lumtur së bashku dy vjet më parë në Kosovë, 20 vjet pas konfliktit atje. I çliruam nga rreziku real i gjenocidit. Ecëm dorë për dore në rrugët e Prishtinës, në një ditë me diell të qershorit. Rrugëve kishin dalë çerek milion persona, që është numër i madh njerëzish në një shtet të vogël si Kosova.

Dhe arritëm te subjekti i shëtitjes sonë, që ishte një bust i bukur i Madeleine që ishte nderimi i tyre për ndihmën e saj. E shohim nderimin e trashëgimisë së saj për të gjitha gjërat që ka bërë për Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën dhe e shohim në shumë mënyra”, tha Clinton.

Bill Clinton dhe Medeleine Albright

Theksojmë se në ceremoninë e varrimit të Albright janë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Albright ka ndërruar jetë më 23 mars në moshën 84 – vjeçare.

Ajo vdiq nga kanceri, u bë e ditur në një njoftim të publikuar nga familja Albright në rrjetin social Twitter.

Madeleine Albright u lind në Pragë të Çekosllovakisë së atëhershme më 15 maj 1937. Së bashku me familjen e saj shpërngul në SHBA më 1948.

Madeleine Albright ishte gruaja e parë e zgjedhur në këtë post më 1997. Në këtë post shërbeu deri në vitin 2001, në administratën e Bill Clintonit.

Albright ka qenë sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.

Për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, më 2019, në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, në Prishtinë u zbulua busti për nder të saj.

Po në vitin 2019, Kosova e kishte dekoruar ish-sekretaren Albright me Urdhrin e Lirisë./Shqip.com