Çitaku reagon pasi Beogradi legjitimoi termin fyes “Šiptari”

Gjykata e Apelit në Beograd e ka legalizuar termin fyes “Šiptari”, vendim që për nënkryetaren e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitakun është shumë i gabueshëm.
Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka publikuar vendimin e kësaj gjykate që legjitimon diskursin përçmues.
“Gjykata e Apelit në Beograd legalizon termin fyes “Siptari” duke refuzuar ankesën e ANMC-së në padinë kundër Ministrit të Brendshëm të Serbisë”, ka deklaruar Çitaku.
Court of Appeal in Belgrade legalizes the offensive term “Šiptari” by rejecting the appeal of ANMC in the lawsuit against the Minister of Interior of Serbia.
This is wrong in so many levels. pic.twitter.com/tLsBujpQd5
— Vlora Çitaku (@vloracitaku) December 22, 2021
Reagime në Luginë të Preshevës

Gjykata e Apelit në Serbi e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë, për padinë ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, për vërtetimin e qasjes diskriminuese dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Aktvendimin e kësaj gjykate e ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafi, duke thënë se “ky proces shpërfaq më së miri drejtësinë e sotme në Serbi”.
Ai ka shtuar se Gjykata e Apelit e ka legalizuar termin fyes për shqiptarët dhe ka bërë të ditur se betejën do ta vazhdojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Edhe Gjykata e Apelit legalizon termin fyes ‘šiptari’ dhe institucionalizon gjuhën e urrejtjes. Vazhdojmë në Gjykatën kushtetuese!”.
“Gjykata e Apelit ka ‘refuzuar ankesën si të pabazuar të paditësit dhe vërteton aktgjykimin e Gjykatës së Lartë në Beograd’, në padinë ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, z.Aleksandër Vullin, për vërtetimin e qasjes diskriminuese dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve”, ka shkruar Mustafi.
Ndër tjera, ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropia, OSCE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të reagojnë ndaj Beogradit zyrtar.
“Kujtoj se të gjitha raportet relevante ndërkombëtare nënvizuan gjuhën e tij ksenofobe dhe raciste”.
“I bëj thirrje BE-së, OSBE-së dhe SHBA-së të reagojnë ndaj Beogradit zyrtar dhe ta parandalojnë gjuhën e urrejtjes kundër minoriteteve në Serbi, sepse lirimi i Ministrit Vullin nga akuzat e gjuhës së urrejtjes, intolerancës dhe diskriminimit, ‘legalizon’, diskriminimin, ksenofobinë dhe racizmin ndaj shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Serbisë e gjetkë”./SHQIP.com