Njeriu i asistimeve

Topi ndalej në këmbët e tij – si me telekomandë. Në Londër – kishte zbarkuar një djalosh i ri, që dhuronte magji në fushën e gjelbër.
Cesc Fabregas – ishte sinonim i fjalës ‘asistim’.
Gjeniu i mesfushës zë vendin e dytë në historinë e Premierligës angleze me numër të asisteve, me gjithsej 111-të, në 350 ndeshje të zhvilluara.
“Shkëlqimi” i tij te “Gunners” filloi sa ishte adoleshent dhe ndonëse e vështirë për t’u besuar, ai debutoi me ekipin e parë të londinezëve në një ndeshje kupe, kur ishte vetëm 16 vjeçar.

Arsenali ishte një ekip perfekt për spanjollin, sepse aty kishte shumë futbollistë të “mëdhenj” prej të cilëve mësoi shumë gjëra të reja.
Stili i lojës që “Gunners” e praktikonte i shkoi shumë për shtati mesfushorit, për shkak se ai mund të tregonte vlerat që kishte në lojën ofanzive.
Pas një kohe jo të gjatë, ende pa i mbushur të 20-tat, ai u bë pjesë tejet e rëndësishme e ekipit të drejtuar nga Arsen Wenger, dhe pëlqehej jashtëzakonisht shumë edhe nga fansat e londinezëve.
Si rezultat i paraqitjeve spektakulare dhe pjekurisë së lartë të treguar në fushën e gjelbër, Fabregas u emërua kapiten i parë i Arsenalit në vitin 2009, edhe pse ishte vetëm 21 vjeçar.

Cesc po “rritej” si futbollist çdo ditë e më shumë, por Arsenali nuk po “korrte” suksese as në Premierligë e as në Ligën e Kampionëve.
Uria për të fituar trofe po i shtohej, ndërsa londinezët nuk mundin assesi të fitonin trofe të rëndësishëm dhe “divorci” nuk dukej larg.
Kështu, pas shumë ofertave në drejtim të tij, Barcelona arriti që t’i sigurojë shërbimet e mesfushorit për një çmim prej 35 milionë eurove.
Edhe pse pritej që periudha e tij në Camp “Nou” të ishte më e gjatë, sepse në të kaluarën ai kishte qenë pjesë e akademisë “La Masia”, realisht një gjë e tillë nuk ndodhi.

Aty ai hasi në një konkurrencë të “ashpër” për minutazh me futbollistë si Xavi dhe Iniesta, por shpesh e gjeti veten duke luajtur edhe në pozitën e qendërsulmuesit-fals.
Fillimi ishte i mirë për të pasi menjëherë në sezonin e parë ai i fitoi 4 trofe, gjë që e kishte kërkuar qe një kohë të gjatë.
Edhe sezoni i dytë, gjithashtu i shkoi për shtati spanjollit, sepse për herë të parë në karrierën e tij e fitoi trofeun e ligës, pra Barcelona u shpall kampione e La Ligas me plotë 100 pikë të grumbulluara.
Por, në vitin pasues forma e tij kishte rënie drastike, dhe dukej që koha e tij në Barcelonë ishte afër fundit.
Kështu, ai u largua nga katalunasit për t’u rikthyer përsëri në Londër, por kësaj here te Chelsea.
Në “Stamford Bridge” Cesc e ri gjeti formën e tij të mëparshme dhe në gjashtë sezonet e kaluara aty, duke u kurorëzuar dy herë më titullin e Premierligës.,

Sezoni i tij i “artë” tek anglezët ishte 2016-2017 ku i realizoi gjithsej 16 asistime, duke u shndërruar në njërën nga pikat më kryesore të skuadrës.
Epoka e tij në Londër u mbyll në vitin 2019, vit në të cilin ai u transferua në Francë te Monaco ku edhe luan ende.
Ai u largua nga Anglia vetëm fizikisht, pasi ai do të jetë i pranishëm gjithmonë në librin e rekordeve dhe në mendjet e njerëzve për një kohë të gjatë./Shqip.com