“Çdo notë në piano është e lirë dhe pa rregulla, jam mësuar të luaj me zemër”

Për pothuajse një dekadë, ushtron talentin e saj në piano.
Pianistja nga Kosova, Lentiana Lutaj, për kaq shumë kohë e përkushtuar në piano, do ta realizojë koncertin e parë solistik më 3 qershor.
“Unë luaj piano pothuajse 1 dekadë, piano është një instrument që duhet përkushtuar shumë dhe kërkohet shumë punë për të pasur sukses”, tha Lutaj për Shqip.com.
Për të nuk është hera e parë që mban koncerte, ajo thotë se brenda muajit ka më shumë se pesë.
“Të them të drejtën unë mbaj shumë shpesh koncerte vetëm këtë muaj kam pas më shumë se pesë koncerte, përkrahja padyshim që realizohet nga familja ime, profesoresha ime e pianos prof. Besjana Tishukaj dhe drejtorisë së shkollës së muzikës”, tha ajo.
Rrugëtimin e saj në skenë ajo e sheh si afatgjatë e të suksesshëm.
“Çdo notë në piano është e lirë dhe pa rregulla, jam mësuar të luaj me zemër”, u shpreh ajo.
Koncerti do te mbahet në sallën e Fakultetit te Arteve në Prishtinë, në ora 18:00./Shqip.com
