Caktohen katër seancat e para për gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Katër seanca gjykimi janë caktuar për në muajin prill nga Dhomat e Specializuara, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Një gjë e tillë u bë e ditur në kalendarin e gjykimeve të DhSK-së, për rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Seancë është caktuar për 3 prill, datë e cila është caktuar edhe si datë e fillimit të gjykimit. Po ashtu, seancë janë caktuar edhe për 4, 5 dhe 11 prill.
Gjykimi ishte paraparë të niste më 1 mars, mirëpo që është shtyrë me kërkesë të mbrojtjeve dhe me pajtim të prokurorisë.

Kalendari i publikuar në faqen e Gjykatës Speciale
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Kujtojmë se, aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
/Shqip.com