Bulliqi e akuzoi se i kishte publikuar foto me një femër, Hyseni: Gjatë fushatës nuk jam marrë me kundërkandidatët

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, tha se gjatë fushatës zgjedhore, nuk është marrë me kundërkandidatët e tij, përcjell Shqip.com.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka hedhur poshtë akuzat e kandidatit për kryetar të Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, i cili tha se Hyseni kishte publikuar fotografi kinse ai është me një femër.

Hyseni tha se asnjëherë nuk është marrë me shpifje personale e as me blerje të votave, teksa shton se Bulliqi në debatin e parë të fushatës e kishte nisur me sulme ndaj integritetit dhe familjes së tij.
“Unë dua të sigurojë të gjithë qytetarët e komunës së Podujevës dhe të Kosovës se unë dhe ekipi im gjatë tërë kohës kemi bërë një fushatë pozitive, të fokusuar në program dhe kemi dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e qytetarëve.
Në rreth 600 takime me qytetarë anë e mbanë Llapit dhe Gollakut, asnjëherë nuk jemi marrë me kundërkandidatët. Për këtë mund të dëshmojnë afro 20,000 qytetarë që i kam takuar. Asnjëherë nuk jemi marrë me shpifje personale e as me blerje të votave. Asnjëherë nuk kanë qenë në fokus të fushatës sime kundërkandidatët, edhe pse kundërkandidati në fjalë qysh në adresimin e parë, në debatin e parë të fushatës, ka nisur me sulme ndaj integritetit tim dhe të familjes sime”, shkroi ndër tjerash Hyseni.
Ndryshe, mbrëmjen e së mërkurës, Bulliqi ka akuzuar LDK-në për propagandë duke thënë se kanë shpërndarë një fotografi se kinse ai është me një femër.
Sipas Bulliqit, LDK ka manipuluar me vota në zgjedhjet lokale, teksa thotë se kanë tentuar që me çdo kusht ta ulin integritetin e tij.
Ndryshe, pas zgjedhjeve lokale që janë mbajtur në Kosovë më 17 tetor, sipas numërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në Pdujevë do të ketë balotazh.
Gara do të jetë mes kandidatit të LDK-së, Ekrem Hyseni, i cili ka marrë 16 mijë e 451 vota, dhe kandidatit të LVV-së, Shpejtim Bulliqi i cili ka marrë 16 mijë e 338 vota./SHQIP.com