Bullgaria nuk do të rinovojë kontratën me Gazpromin

Bullgaria nuk do të rinovojë kontratën e furnizimit me gaz natyror me kompaninë rusë “Gazprom” shkaku i luftës në Ukrainë.
Bullgaria do të shikojë alternativat për furnizim dhe është e mundur që të ketë një kontratë të përbashkët me Bashkimin Evropian me qëllim që të shmanget mungesa e furnizimit me gaz.
Këtë qëndrim e ka shprehur edhe zëvendëskryeministri i Bullgarisë, Asen Vasilev.
Vendi i tij kishte kontratë 10 vjeçare me Gazpromin për furnizim me gaz mirëpo kjo kontratë skadon këtë vit.
Bullgaria disa vite me radhë kishte vonuar projektet për diversifikimin e energjisë këtu përfshihet edhe një lidhje e tubacionit me shtetin e Greqisë.
Qeveria është duke kërkuar të përshpejtojë tani projektet për shkak të frikës se lufta në Ukrainë mund të shkaktojë probleme.
Vasilev deklaron se ata janë duke biseduar me Turqinë dhe Greqinë sa i përket furnizimit me gaz.
“Në këtë situatë, nuk ka asnjë mënyrë që të ketë bisedime me Gazprom. Ne kemi zhvilluar bisedime me Greqinë dhe Turqinë për të përdorur infrastrukturën ekzistuese për furnizimet dhe për të rritur dërgesat nga Azerbajxhani, me të cilin vendi ka një kontratë”, tha ai.
Qeveria shpreson të ketë një mekanizëm të përbashkët të BE-së për furnizimet që funksionon deri në fund të verës, i cili do të lejojë negocimin me çmime më të mira.
Lufta e ka detyruar tashmë BE-në të ripërcaktojë politikën e saj energjetike dhe të kërkojë një reduktim më të shpejtë të varësisë së saj nga Rusia, furnizuesi i saj më i madh i energjisë.
Komisioni Evropian javën e kaluar përshkroi një plan për të zëvendësuar gati dy të tretat e importeve të gazit rus këtë vit dhe po kërkon të heqë gradualisht varësinë nga të gjitha lëndët djegëse fosile nga Moska deri në vitin 2027. /Shqip.com