Ekonomi

Bullgaria e gatshme ta mbështesë Kosovën me furnizim me energji elektrike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me kryeministrin në detyrë të Bullgarisë, Galab Donev.

Në këtë takim, është përmendur çështja e energjisë ku Donev ka shprehur gatishmëri për mbështetje të Kosovës me furnizim me energji

“Të dy bashkëbiseduesit janë ndalë te çështja e sigurisë energjetike, derisa edhe kryeministri në detyrë Donev, sikurse presidenti Radev ka shfaqur gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën me furnizim me energji elektrike. Palët konfirmuan se për këtë çështje do të ketë takim ndërshtetëror të ministrive të linjës përkatëse”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.

Nga Donev, Osmani ka marrë mbështetje për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

“Në takim me kryeministrin në detyrë, Donev, Presidentja ka marrë mbështetjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare, teksa i ka bërë të ditur atij se Kosova synon që brenda këtij vitit të aplikojë edhe për anëtarësim në BE. Presidentja Osmani e ka cilësuar Bullgarinë një partner të rëndësishëm në këtë aspekt, ndaj ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes për Kosovës në procesin e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar”.

Në mes Osmanit dhe Donevit është diskutuar edhe situata aktuale në Kosovë.

“Kurse në raport me zhvillimet e fundit në vend, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për paqe, siguri dhe sundim të ligjit në gjithë territorin e Republikës. Sipas Presidentes Osmani dialogu me Serbinë duhet të jetë i fokusuar me njohje të ndërsjellë në qendër, ruajtjen e integritetit territorial, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës. Më tej, Presidentja Osmani, ka potencuar se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në fushën e reformave në drejtësi dhe zbatimin e sundimit të rendit e ligjit”.

Të dy palët janë dakorduar për bashkëpunim në fushën e politikës së jashtme, ekonomisë, arsimit dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

/Shqip.com