Ekonomi Bujqit ende në pritje për subvencionim. Ankohen për shtrenjtim të farës së grurit, plehut e naftës.

Bujqit paralajmërojnë protesta në rast mos subvensionimit, MBPZhR-ja: Gjatë marsit fillon aplikimi

Bujqit

Nga 30 hektarë me grurë të mbjella çdo vit, Xhafer Kasumi, këtë vit ka mbjell vetëm 22 hektarë për shkak të rritjes së çmimit të farës.

Kasumi tregon se çmimi për thasë i farës në treg është shtrenjtuar nga 40 në 45 deri në 50 eurodhe të njëjtit i kushton një kosto shumë e lartë për shkak të sasisë të madhe që e blenë.

Përveç farës, çmimi i është rritur edhe plehut e naftës.

“Plehu i vjeshtës që duhet patjetër me e qit, ka qenë 7 euro e 30 cent në pranverë kur e kemi mbjellë ministrin, ndërsa tani është rritur çmimi në 14 euro e 50 cent, e në shumë vende edhe 15 euro”, ka thënë Kasumi.

Por, të gjitha këto investime, bujku nga Vushtrria i ka bërë me të hyrat vetanake dhe ende nuk është subvencionuar nga ministria.

“Subvencionet si këtë vit nuk i kemi parë asnjëherë, kemi paralajmëru edhe protesata para Ministrisë së Bujqësisë. Mos subvencionet na i kanë dëmtu shumë këtë vit e sidomos për ata që i kanë më pak se dy hektar”, ka thënë për Shqip.com Kasumi.

Sindikata e Bujqve: Ministria ka kohë një javë për t’i përmbushur kërkesat e bujqve

Sindikata e Bujqve të Kosovës ka paralajmëruar protestë në rast që nuk do të plotësohet kërkesat për subvencionim dhe grante.

Kështu ka bërë të ditur kreu i sindikatës, Tahir Tahiri, në një prononcim për Shqip.com i cili ka thënë se janë të interesuar që bujqit t’i kenë kushtet për veprimtari bujqësore.

“Kërkesat janë të mëdha për protestë ne kemi kontaktuar ministrin, Faton Peci, të hënën dhe ja kemi paraqitur kërkesat tona për të ju dal në ndihmë bujqve, pikërisht për shkak të disa artikujve të cilëve ju ka ngritur çmimi si plehut, farave, naftës e shumë të tjera”, ka thënë Tahiri.

Tahiri pohoi se Ministria e Bujqësisë ka kohë një javë kohë për të realizuar kërkesat e bujqve.

“Do të jemi të detyruar edhe pse nuk i tolerojmë shumë protestat sepse e dimë pak situatën dhe nuk mendojmë që krejtësisht është fajtorë Qeveria dhe e dimë situatën ekonomike dhe mundësia e buxhetit të Qeverisë, mirëpo bujqit janë tu bo presion të madh dhe për të mos mu organizuar protesta në mënyrë anarkie na si sindikata jemi të obliguar patjetër që të organizojmë një protestë”, ka thënë ndër të tjera Tahiri.

Kryetari i Sindikatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri

MBPZhR: Gjatë marsit hapet afati për të aplikuar për subvencionim

Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për Shqip.com kanë thënë se se janë duke e finalizuar Programin e Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022 dhe thirrja për aplikim për këtë program planifikohet të shpallet gjatë muajit mars të këtij viti.

“Në kuadër të këtij programi do të rritet mbështetja përmes subvencioneve për shumicën e kulturave bujqësore, të cilat përkrahen përmes këtij programi. Ndërkaq, për kultivuesit e perimeve, mbështetja përmes subvencioneve do të rritet 100% në krahasim me vlerën e subvencionimit që ishte në vitet paraprake”, ka thënë nga MBPZhR-ja.

Nga MBPZhR-ja kanë bërë të ditur se kjo politikë është mbështetur duke u bazuar në potencialin që e ka ky sektor për zhvillimin e mëtutjeshëm dhe për të përmirësuar bilancin tregtar duke ulur importin e produkteve bujqësore.

Ministria e Bujqësisë

“Po ashtu, përmes Programit të Pagesave Direkte të vitit 2022, këtë vit MBPZhR-ja do të mbuloj 75 për qind të primit të sigurimit bujqësor për kulturën e mollës, qershisë, misrit, fasules, dardhës, specave, kumbullës, mjedrës, vishnjës, dredhëzës, arrës, rrushit, si dhe primin e sigurimit tradicional bujqësor për kulturën e mollës – pemishte intensive, specit – kultivimi intensiv, si dhe rrushit të verës”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.

Sipas të dhënave nga Agjencia Statistikore e Kosovës, nga gjithsej tokë e punueshme – ara janë 188.371,71 hektarë, pjesa më e madhe është me drithëra 66,2 %; bimë foragjere me 19.9%; perime gjithsej janë 10.115,45 hektarë, prej të cilave perime në fushë të hapur dhe serra janë 4,8%; patate 2.0 %; bishtajore 1.6%; bimë industriale 0,6%; kultura të tjera 1.4% dhe tokë djerrinë 3,5%./Shqip.com