Lajme Shqiptare

Britania e Madhe shpall “non grata” 27 persona për korrupsion, ndër ta edhe shqiptarë

Sir Stuart Peach

Britania e Madhe ka futur në listën e personave të padëshiruar 27 individë të përfshirë në korrupsion serioz në mbarë botën, ndër ta edhe shqiptarë.

Sipas të dërguarit të posaçëm të Britanisë së Madhe në Ballkanin Perëndimor Sir Stuart Peach këtë javë këta shqiptarë janë përballur me këtë vendim që nuk iu lejon hyrjen në këtë ishull mbretëror.

“Këtë javë, ne ndërmorëm veprime përçarëse kundër disa individëve shqiptarë me lidhje të publikuara dhe të dokumentuara mirë me kriminalitetin dhe korrupsionin. Kjo është vala e parë e një sërë veprimesh që synojnë të inkurajojnë llogaridhënien dhe t’i japin fund mosndëshkimit. Mbretëria e Bashkuar ka një sërë mjetesh në dispozicion për të penguar individët me lidhje me kriminalitetin dhe korrupsionin, duke përfshirë emigracionin dhe përçarjen ekonomike. Detajet e këtyre veprimeve mund të mos jenë gjithmonë publike”, thuhet në njoftim.

I dërguari i posaçëm i Britanisë së Madhe në Ballkanin Perëndimor ka deklaruar se blerja e votës dhe keqpërdorimi i fondeve publike vazhdon të jetë një problem madhor në politikën shqiptar.

Ilustrim

“Siç tregon edhe raporti i OSBE-së për monitorimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të vitit të kaluar, blerja e votës dhe keqpërdorimi i fondeve publike vazhdon të jetë një problem madhor në politikën shqiptare. Për aq kohë sa politikanët janë në gjendje të bashkëpunojnë me kriminelët për të blerë, shantazhuar dhe kanosur votuesit, demokracia shqiptare do të mbetet e brishtë dhe e paplotë”, ka thënë i dërguari i posaçëm i Britanisë së Madhe në Ballkanin Perëndimor Sir Stuart Peach.

Ai vijoi duke thënë se krimi i organizuar dhe korrupsioni në Shqipëri – dhe më gjërë në rajon – nënkuptojnë gjithashtu se shuma të mëdha fondesh shtetërore, të mbledhura nga taksapaguesit e zakonshëm, nuk arrijnë kurrë në shkollat, spitalet dhe rrugët që shqiptarëve u duhen për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme dhe të begatë./Shqip.com