Lajme

Braktisja e shkollës nga komuniteti RAE, MASHTI s’ka të dhëna

Braktisja e shkollave nga komuniteti Rom, Ashkali dhe Egjiptas në Kosovë
Braktisja e shkollave nga komuniteti Rom, Ashkali dhe Egjiptas në Kosovë

Fëmijët e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian po braktisin shkollën ende pa kryer nivelin fillestar, për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe paragjykimeve të shumta.

Në të dhënat që ka Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në shkollat e Kosovës, janë të regjistruara 6362 nxënës nga të tri komunitetet.

Mirëpo, ky institucion, nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i nxënësve të këtyre komiteteve kanë braktisur shkollimin.

Sipas MASHTI-t, komunat të cilat kanë probleme me së shumti me vijueshmërinë e nxënësve të komuniteteve RAE në shkolla janë: Gjakova, Ferizaj dhe Fushë Kosova.

“Ministria e Arsimit ka ndërmarrë disa veprime pёr tё adresuar problemin e braktisjes, me qёllim tё përmbushjes tё së drejtёs pёr arsim pёr tё gjithё pa dallim gjinie, etnia a rrethanё tjetёr Ekziston Ekipi pёr parandalim dhe reagim ndaj braktisjes dhe mosregjistrit në nivel nacional, i cili i ka zhvilluar politikat, dokumentet nё kёtё fushё, pёrfshirё punёn nё ngritjen e kapaciteteve tё ekipeve komunale dhe atyre shkollore. Gjithashtu, janё ndёrmarrё masa afirmative pёr mbёshtetjen e kategorive tё ndjeshme qoftё me sigurimin e transportit nga komunat, bursave nga ministria (gati çdo vit rreth 500 bursa pёr komunitet RAE) apo edhe me krijimin e lehtёsirave pёr regjistrim nёpёr nivele arsimore, si dhe me lirimin nga pagesat pёr shёrbime arsimore”, thuhet në përgjigjën e MASHTI-t.

Tutje, nga kjo ministri thonë se aktualisht janë duke punuar që të themelohen dhe fuqizohen ekipet në shkolla të mesme të larta për të monitoruar dhe evituar braktisjen e mësimit nga nxënësit.

Megjithatë, iniciativat për riinkuadrim nuk janë të pakta. Raste të tilla kanë ndodhur edhe nga organizata gjermane CONCORDIA, e cila merret me projekte sociale.

“Numri i fëmijëve dhe të rinjve që marrin pjesë në aktivitetet e përditshme në qendrën CONCORDIA Tranzit është rreth 100, nga 2 deri në 25 vjeç. Përveç kësaj, janë rreth 15 fëmijë që vijnë vetëm për orët e muzikës. Ky është gjithashtu kapaciteti maksimal që mund të përballojmë në qendrën Tranzit. Po ashtu, 55 fëmijë dhe anëtarët e familjeve të tyre, mbështeten nga Ekipi Mobil në shtëpitë e tyre”, kanë thënë për Shqip.com nga kjo organizatë.

Aktivitetet me komunitetin RAE

Të njëjtit kanë thënën se në shkollë kanë arritur të riinkuadrojnë dy fëmijë që ishin lëmoshë kërkues.

“Kemi 2 fëmijë lëmoshë kërkues nga mosha 4 deri në moshën 7-vjeçare. Familja e tyre po përballet me shumë vështirësi, përveç varfërisë së rëndë, prandaj i dërgonin fëmijët në rrugë për të kërkuar lëmoshë për të pasur para për ushqim, qira, shërbime komunale etj. Përveç kësaj, familja nuk kishte asnjë mundësi për të blerë rroba apo mjete shkollore që fëmijët të shkonin në shkollë”, thuhet në përgjigjen e tyre për Shqip.com

Organizata ka nënshkruar një marrëveshje me këtë familje që për të iu ofruar ndihmë duhet t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë.

“Prindërit u bindën që fëmijët e tyre të regjistroheshin në shkollë dhe të mos dalin të kërkojnë në rrugë, duke u shpjeguar se kjo është e vetmja mundësi që fëmijët e tyre kanë për një jetë më të mirë, ndërsa CONCORDIA do t’i ofrojë të gjithë mbështetjen materiale dhe shërbimet e tjera për fëmijët, si dhe për të gjithë familjen. Ata janë njoftuar gjithashtu se prindërit janë të obliguar t’u sigurojnë fëmijëve pjesëmarrjen në arsimin, në të kundërtën mund të kenë pasoja juridike”.

Një nga asistentët e këtij projekti ka treguar se cilat janë disa nga aktivitetet që i zhvillojnë me fëmijët.

“I marrim nga shtëpia në orën 09:00 të mëngjesit deri në orën 12:30. Gjatë kësaj kohe ata hanë mëngjesin, mbarojnë detyrat me mësuesin e qendrës, pastaj pastrohen në qendër, hanë drekën, dhe më pas dërgohen në shkollë me automjet, së bashku me një mësuese i shoqërojnë në klasë dhe më pas kur mbarojnë mësimin, kthehen në shtëpi”.

Përkundër kushteve ekonomike, pasioni për muzikë nuk është më i pamundur

Përveç shkollimit ditor që janë të obliguar të ndjekin fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, atyre iu ofrohet edhe mundësi që t’i mësojnë instrumentet muzikore.

Klasat e muzikës zakonisht organizohen nga ora 16:00 deri në orën 18:00. Instrumentet që fëmijët mësojnë janë violina, violonçelo, saksofoni, piano, kitara, violina, flauta dhe klarineti.

Mësuesi i muzikës në këtë qendër, Adonis Gjini, ka thënë për Shqip.com se qëllimi i punës së tyre është që edhe nëpërmjet muzikës t’i nxisin fëmijët që të shkojnë në shkollë.

Adonis Gjini – Profesor i Violonçelos

“Sipas një studimi, ndikimet me të mëdha në aspektin psikologjik për shkollimin e fëmijëve, mendohet të jetë terapia muzikore si lëndë profesionale. Unë jam mësimdhënës i Violinçelit dhe nëpërmjet punës sonë ne mundohemi që t’i riinkuadrojmë fëmijët në shkollë”, tha Gjini.

Por, në fillim ishte vështirë të merreshin me këta fëmijë.

“Puna me minoritete është shumë e mirë dhe janë shumë bashkëpunues e adhurues të muzikës. Gjatë punës me ta, kemi disa probleme fillestare dhe kanë të bëjnë pikërisht me mungesën e informacioneve në lidhje me instrumentet klasike, si dhe durimin e koncentrimin gjatë fillimit”.

Gjini ka thënë se muzika në shkollë ndikon në mënyrë pozitive sidomos për ata që e duan muzikën dhe nuk kanë kushte të blejnë një instrument.

/Shqip.com