Kulturë

Botohet monografia “Dhimitër Anagnosti”

Akademia e Shkencave e Shqipërisë e promovoi botimin e saj në zhanrin e monografisë “Dhimitër Anagnosti”, artisti, bota, imazhi me autor prof. dr. Josif Papagjonin në bashkëpunim me Universitetin e Arteve.

Në këtë promovim, që u mbajt në UA, ishin të pranishëm dhjetëra personalitete nga fusha e kinemasë dhe arteve të tjera, profesorë të këtij universiteti, kolegë të regjisorit e të tjerë.

Ishin të pranishëm edhe regjisori i njohur Dhimitër Anagnosti dhe bashkëshortja e tij, aktorja Roza Anagnosti.

Dhimitër Anagnosti është një nga artistët e shquar, mjeshtër i kinematografisë shqiptare dhe një autor origjinal i skenarëve në kinematografi dhe teatër, por edhe i disa veprave letrare.

Në këtë libër, Josif Papagjoni ka pasqyruar të gjithë krijimtarinë e regjisorit të njohur dhe profilin e tij artistik.

“Prof. dr. Papagjoni pohon se arti i kinematografisë shqiptare është i lidhur ngushtë me veprën shumëdimensionale të këtij regjisori, e cila prek zhvillimet më të ndjeshme të historisë sonë, duke gjurmuar, artikuluar dhe nxjerrë në sipërfaqe gjendje, dukuri, prirje e zhvillime që kanë determinuar formimin e konstruktit shpirtëror të kombit”, ka shkruar në faqen zyrtare Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Dhimitër Anagnosti është vlerësuar me titujt “Artist i Popullit”, “Nderi i Kombit” etj.

Në promovim, miqtë, kolegët dhe personalitete të artit sollën dëshmi dhe kujtime të punës dhe veprës së regjisorit në vite.

/Shqip.com