Lajme

Borrelli pret përkushtim serioz nga Kosova e Serbia ndaj propozimit evropian

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka folur edhe njëherë për dialogun Kosovë-Serbi dhe planin franko-gjerman.

Ai ka thënë se pret përkushtim serioz dhe gatishmëri nga Kosova e Serbia për të avancuar para propozimin evropian, të njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman.

“Ne kemi cekur se avancimi në këtë proces sjellë benefite të konsiderueshme për të dyja palët. Besoj se është mënyra e vetme për të thyer këtë rreth vicioz të krizave në terren, për ta reduktuar rrezikun për eskalime të mëtutjeshme. Presim përkushtim serioz e gatishmëri për t’u angazhuar në mënyrë aktive dhe konstruktive, e për të avancuar para këtë propozim”, ka thënë Borrell.

Ai këtë deklarim e bëri në një konferencë për media pas takimit të ministrave të jashtme të BE-së.

Ai ka treguar se ka njoftuar ministrat për vizitën që emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, së bashku me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe këshilltarët për politikë të jashtme të Gjermanisë, Francës e Italisë, patën në Kosovë e Serbi javën e kaluar.

Ndërsa sot, Ministri i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministri i parë Ivica Daçiq deklaroi se Serbia është e vendosur për vazhdimin e dialogut dhe dialogut si e vetmja rrugë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura, përfshirë çështjen e Kosovës.

Daçiq ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në seancën e sotme i ka njoftuar anëtarët e Qeverisë për gjendjen aktuale, pas së cilës do të bëhet një deklaratë zyrtare.

Theksojmë se të premten në Prishtinë e Beograd qëndruan për vizitë një delegacion nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

/Shqip.com