Lajme

Bllok-tarifa prek më së shumti familjet që ngrohen me energji elektrike

Familjet që burim të ngrohjes e kanë energjinë elektrike, pritet të dëmtohen më së shumti nga rikthimi i bllok-tarifave.

E tillë është edhe familja Mehmeti nga Vushtrria, që para tri vjetësh investoi në vendosjen e sistemit të ngrohjes me rrymë në shtëpi.

Kryefamiljari M.Mehmeti tregon se gjatë dimrit shpenzimet e energjisë trefishohen, si pasojë e ngrohjes.

“Arsyeja pse e kemi vendos me u ngroh përmes rrymës është se përdorimi ishte më i lehtë. Gjatë dimrit harxhojmë nga 2000 deri në 2500 kilovat, ndërsa verës nga 500 deri në 700 kilovat. Në rrymë i mbajmë të gjitha pajisjet shtëpiake, e sidomos ato në kuzhinë që janë. Dëmi do të jetë jashtëzakonisht i madh, pasi pagesa për rrymë do të rritet”, thotë M.Mehmeti.

Ai deklaron se për ta paguar faturën e rrymës nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveç heqjen e disa produkteve ushqimore nga shporta e konsumatorit.

“Është shumë e vështirë përballimi i kësaj situate, pasi që për të paguar faturën e rrymës duhet të heqim dorë nga produktet ushqimore, pra duhet të kursejmë në ushqim, që të arrijmë ta paguajmë faturën e rrymës. Kjo është e pamundur për një familje, e cila në punë ka vetëm një anëtar të familjes”.

Përveç familjes Mehmeti, me këtë situatë pritet të përballen edhe shumë familje të tjera. Sipas kompanisë kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë, KEDS, 31 për qind e konsumatorëve e kalojnë shifrën e 600 kWh gjatë vitit.

Madje, KEDS në të kaluarën ka deklaruar se kërkesa për energji po rritet gjatë muajve të dimrit, pikërisht si pasojë e ngrohjes me rrymë.

Balkan Green Foundation: Numër i madh i qytetarëve e kalojnë konsumin mbi 600 kilovat

Rinora Gojani nga Balkan Green Foundation, thotë se bazuar në të dhënat e një pyetësori që janë duke realizuar, një numër i madh i qytetarëve e kalojnë shifrën prej 600 kilovat të konsumit të energjisë elektrike.

“Jemi duke bërë një pyetësor dhe në bazë të rezultateve, po na del që ata që ata të cilët ngrohen me rrymë medoemos e kalojnë shifrën prej 600 kilovatë gjatë periudhës së dimrit. Shumica e qytetarëve që nuk janë të kyçur në Termokos, e tejkalojnë këtë shifër. Por, nuk mund të them me përqindje sepse jemi në hulumtim e sipër, por është numër i madh i atyre që e kalojnë”, deklaroi ajo për Shqip-in.

Gojani mes tjerash tha se propozimi për vendosjen e bllok-tarifave është i duhur në këtë kohë, por problemi qëndron në faktin se nuk është marrë për bazë konsumi mesatar.

Për këtë, Gojani kërkon aplikimin e politikave të tjera lehtësuese.

“Për shembull subvencionim i pompave termike, ulje e tatimit për pelet ose çfarëdo sistemi tjetër që diversifikon ngrohjen”.

Gojani më tej tha se Kosova në vazhdimësi nuk ju ka ofruar më shumë mundësi qytetarëve për ngrohje – përveç asaj me energji elektrike.

“Deri tani ndërtesat janë lejuar të ndërtohen në atë formë që të mbesin peng për ngrohje me energji elektrike. Prandaj, është shumë e rëndësishme që kalkulimi të bëhet në bazë të konsumit real, se fatkeqësisht shumë ekonomi familjare ju është bërë të mendojnë se energjia elektrike është opsioni më i mirë”.

Propozimi për ndryshim të çmimit të energjisë elektrike erdhi si pasojë e mos mbulimit të kërkesës nga prodhimi i brendshëm dhe blerja me çmim të lartë në berëzën ndërkombëtare.

ZRRE-ja ka propozuar që çmimi i energjisë elektrike për ata që shpenzojnë mbi 600 kilovat të rritet për 12.31 euro në muaj, ndërsa mbi 1000 kilovat 24.64 euro në muaj.

Vendimi pritet të merret brenda muajit janar dhe çmimet e reja të aplikohen nga 1 shkurti./Shqip.com