Blinken: Ukraina i merr vendimet vetë për luftën
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock u takua të premten në Uashington me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken. Kërkesa e Ukrainës për raketa me rreze më të gjatë veprimi për kundërsulmin e saj ndaj agresorit rus ishte në rendin e ditës.
Pas 18 muajsh sulmesh pothuajse të përditshme nga Rusia kundër civilëve ukrainas, Kievi po përdor gjithnjë e më shumë dronë për sulme përtej kufirit me Rusinë dhe po u kërkon aleatëve të saj raketa me rreze më të gjatë veprimi për të rritur aftësitë mbrojtëse.
Çështja e mbrojtjes së Ukrainës me armë të furnizuara nga NATO-ja është një nga çështjet që Sekretari i Shtetit Antony Blinken diskutoi me Ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock. Zoti Blinken tha se kërkesat e Ukrainës po merren në shqyrtim.
“Kur flitet për mënyrën se si ukrainasit i përdorin sistemet, ata i marrin vendimet për objektivat që godasin. Vendimet nuk janë tonat. Ata duhet të shqyrtojnë se çfarë mund të jetë më efektive në përpjekjet për të rifituar sovranitetin e tyre të plotë, integritetin e tyre territorial”.
Ministrja Baerbock u tregua më e përmbajtur.
“Ne jemi të shqetësuar për forcimin e vetëmbrojtjes së Ukrainës dhe kjo është arsyeja pse që nga fillimi u thamë forcave të armatosura të Ukrainës se furnizimi ynë me armë është i kufizuar në mbrojtjen e territorit kombëtar brenda Ukrainës”.
Ekspertët i thanë Zërit të Amerikës se është i jashtëzakonshëm uniteti mes Gjermanisë dhe SHBA-së për çështjen e Ukrainës.
“Mendoj se lajmi i rëndësishëm është uniteti i fortë që del në pah pas 18 muajsh konflikti dhe më duhet të them se fitorja për Ukrainën ende nuk duket në horizont. Kështu që është një konflikt i gjatë. Dhe do të jetë e vështirë të ruhet ky unitet. Kjo duket qartë. Por harku i 18 muajve është provë e një marrëveshjeje shumë thelbësore midis vendeve anëtare të NATO-s”, thotë për Zërin e Amerikës Michael Kimmage me Universitetin Katolik të Amerikës.
Një ekspert tjetër pajtohet për ruajtjen e unitetit, por vuri në dukje se disa anëtarë të Kongresit, kryesisht republikanë, kanë ngritur shqetësimin se vendet evropiane duhet të bëjnë më shumë për të mbështetur Ukrainën.
Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Jackson James të Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara.
“Natyrisht, po shkojmë drejt një viti zgjedhor dhe do të ketë zëra të lartë në Kongres dhe gjetkë që thonë se kemi nevojë për këto para në Kentaki dhe jo në Kiev”.
Zëri i Amerikës e pyeti Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, republikanin Michael McCaul, nëse ai beson se Kongresi do të vazhdojë ta financojë Ukrainën siç kërkohet nga administrata e Presidentit Biden.
“Mendoj se duhet t’u kishim dhënë armë më herët, kjo e vonoi kundërsulmin. Ata nuk i kanë të gjitha pajisjet që u nevojiten, nuk kanë mbrojtje ajrore dhe po pastrojnë me dorë minat gjatë natës. Pra, duhet të bëjmë më shumë për t’u siguruar atyre armatimet. Kur të bëhet kjo, ne do të shohim se ata mund të fitojnë dhe mundin rusët. Jam shumë optimist se do ta miratojmë ndihmën”.
Kryediplomatja gjermane shkoi gjithashtu në Teksas për takime me guvernatorin republikan Greg Abbott dhe kryetarin e bashkisë së Hjustonit Sylvester Turner, me gjasa për të vënë në pah se Gjermania është tani kontribuesi i dytë më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe se qytetet gjermane strehojnë më shumë se një milion refugjatë ukrainas. /VOA
/Shqip.com