Lajme

Bislimi udhëton për në Bruksel, pritet të takohet me Petkoviqin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi ka udhëtuar për në Bruksel.

Lajmin për shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësi për media i zyrës së Besnik Bislimit, Klisman Kadiu.

Por, Kadiu tha se nuk është në dijeni të agjendës së takimeve.

“Mund të konfirmoj që zëvendëskryeministri Bislimi ka udhëtuar për në Bruksel. Momentalisht, nuk jam në dijeni të agjendës së takimeve”, tha Kadiu.

Ndërsa, zëdhënësi i  Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano ka thëne për Shqip.com se në këtë fazë nuk mund të jep asnjë informacion lidhur me takimet që do të ndodhin sot në Bruksel.

“Në këtë fazë unë nuk mund të konfirmoj asnjë informacion në lidhje me ndonjë takim që ndodh në Bruksel sot”, tha Stano

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq pritet që të takohen sot në Bruksel.

Sipas burimeve diplomatike të REL-it, ky takim do të bëhet nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak për të diskutuar lidhur me çështjen e targave të lëshuara nga autoritetet serbe në Kosovë.

Lexo edhe:
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë sot pritet të takohen në Bruksel

Këto burime kanë thënë se palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, që është konsideruar urgjent.

Takimi do të zhvillohet vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka hedhur fajin sidomos te pala e kosovare për mosarritje të marrëveshjes.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Ai ka thënë të martën se ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, është shumë i përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e targave ilegale serbe.

Faza e dytë parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa të tilla.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier, ka thënë se e ka kërkuar këtë shtyrje për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.

Tutje, Kurti ka thënë se prej takimit 8-orësh të 21 nëntorit, ai nuk ka qenë në kontakt me zyrtarët evropianë lidhur me çështjen e targave.

“Me keqardhje ritheksoj se (kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep) Borrell braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e Bashkimit Evropian duke thënë ‘le ta kemi një darkordim për targat’. Nuk mjafton dakordimi për targat”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Sipas tij, “korrigjimi i gabimit të Borrellit është i domosdoshëm”

/Shqip.com