Lajme

Bislimi takon Oliver Varhelyi, flasin për anëtarësimin e Kosovës në BE

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka zhvilluar takim me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Tema kryesore e takimit ishte anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Që vitin e kaluar, Kosova kishte lajmëruar institucionet e BE-së për vendimin për aplikimin për anëtarësim në BE brenda këtij viti dhe tani është momenti për të formalizuar dhe dorëzuar aplikimin. Zëvendëskryeministri Bislimi, e informoi Komisionerin Varhelyi mbi vendimin për aplikimin për anëtarësim në BE. Integrimi në Bashkimin Evropian është prioritet dhe synim strategjik për Republikën e Kosovës. Kemi angazhimin e përkushtimin e plotë në intensifikimin e përpjekjeve tona dhe vazhdimit të forcimit të kapaciteteve institucionale në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se shumë shtetet anëtare dhe përfaqësues të institucioneve kryesore të BE-së, janë takuar dhe informuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel, ekipi i zyrës së zëvendëskryeministrit Bislimi dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës e po ashtu dhe nga takimet bilaterale të nivelit të lartë.

Bislimi e falënderoi Komisionerin Varhelyi për mikpritjen dhe bisedën e frytshme, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin dhe proceset e integrimit evropian të Kosovës.​

/Shqip.com