Bislimi: Marrëveshja për energjinë elektrike në Veri afër finalizimit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në një intervistë për mediumin publik (RTK) ka dhënë detaje për diskutimet të cilat i ka zhvilluar me Përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Bislimi nga Brukseli ka thënë se energjia elektrike në Mitrovicën e Veriut ka qenë njëra nga temat e diskutimit problem i cili është pothuajse i zgjidhur.
Thotë se takimi konsultues në Bruksel ishte thirrur për këtë qëllim.
“Konsultat kanë pasur qëllim finalizimin e marrëveshjes për energjinë në Mitrovicën e Veriut. Gjithçka dukej mirë deri në momentin e fundit mirëpo siç duket palës në Bruksel i duhet edhe pak kohë për finalizim”, ka thënë ai.
Ka thënë se kryenegociatori nga pala serbe, Petar Petkoviq ka refuzuar ofertën për të zhvilluar një takim tre palësh sepse në këtë takim është dashur që të diskutohet për përgatitjen e takimit të lartë ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit si dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ai beson se Petkoviq do të shkarkohet nga Qeveria e Serbisë pasi ka krizë të legjitimitetit.
“Në takimin tre palësh është dashur të diskutohet për përgatitjen takimit të lartë ndërmjet Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë. Kam insistuar që të mbahet takimi mirëpo nuk ka pasur interesim nga pala serbe. Mandej Petkoviq ka thënë që unë kam refuzuar takimin që është e pavërtete. Deklarimi i Petkoviqit është në funksion të rritjes së besimit sepse ai ka probleme serioze me besimin që e ka nga vet Qeveria e Serbisë. Si duket i ka ditët ose javët e numëruara në procesin e dialogut”, ka thënë ai. /Shqip.com