Bislimi: Liberalizimi i vizave është një arritje në integrimin evropian të Kosovës

Pasi që Parlamenti, Këshilli dhe Komisioni Evropian janë dakorduar ditën e sotme mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën ka ardhur reagimi nga ana zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi.
Sipas Bislimit, dakordimi, i cili do të kalojë në hapat e mëtejshëm procedural para hyrjes në fuqi, do t’u mundësojë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të udhëtojnë drejt BE-së pa viza, më së largu me 1 janar 2024, për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh brenda çdo periudhe 180 ditore.
“Liberalizimi i vizave është një arritje në integrimin evropian të Kosovës. Kjo është një ditë e rëndësishme evropiane për vendin tonë, pas edhe nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në BE”, ka thënë Bislimi.
Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
Në emër të PE-së negociata i ka zhvilluar raportuesi për liberalizim të vizave për Kosovën, Thijs Reuten nga Holanda.
“Heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”, thuhet në këtë njoftim.
Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.
/Shqip.com