Bislimi e Petkoviq takohen sot në Bruksel

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe homologu në dialog, Petar Petkoviq do të marrin pjesë në takimin e planifikuar të mërkurën në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Takimin e ndërmjetësuar nga emisari i BE-së, Miroslav Lajçak e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Nesër, Miroslav Lajçak do t’i presë kryenegociatorët e të dyja palëve në kundër të dialogut të ndërmjetësuar në Bruksel. Fokusi do të jetë te zbatimi i plotë i Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe hapat drejt shtensionimit të situatës në veriun e Kosovës”, ka thënë Stano.
Takimi në Bruksel është hapi i katërt i dakorduar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Më 10 korrik, Bashkimi Evropian dhe Kosova ranë dakord për një sërë hapash që Kosova duhet t’i ndërmarrë si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën e krijuar në veri të vendit.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.
Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë – të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, komuna të banuara me shumicë serbe – hynë në ndërtesat komunale me asistimin e policisë.
Që atëherë, serbët kanë mbajtur protesta.
Kryetarët e rinj u zgjodhën më 23 prill, zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.
/Shqip.com