Kulturë

Biser Mehmeti vjen me romanin “Lulja e hidhur”

Shkrimtari i njohur, Biser Mehmeti vjen me romanin e tij të fundit të titulluar: “Lulja e hidhur”. Kritika e vlerëson si një diskurs modern fatesh njerëzore, figurim i thelluar dhe një dramacitet i arrirë në zbërthimin e ekzistenciales së personazheve.

E, sa i përket titullit të romanit, shkrimtari Mehmeti për Shqip.com ka thënë se, “Lulja e hidhur” është metaforë që shpërfaq dëshirën e personazhit kryesor të bëjë një jetë të lumtur, po has në vështirësi të mëdha, të cilat në fund nuk arrin t’i përballojë.

Në qendër të rrëfimit është paraqitur një ujk, i cili terrorizonte jo vetëm kafshët, por edhe njerëzit. “Shumë njerëz orvaten për ta vrarë, po në fund përfundojnë në barkun e tij. Personazhi kryesor arrin ta vrasë, po në fund vritet nga disa njerëz, të cilët nuk mund të paramendonin të fillonin një jetë tjetër ku nuk do të ekzistonte ujku”, ka thënë Mehmeti në një intervistë për Shqip.com.

Sa i përket strukturës, fabula jepet përmes vetes së tretë njëjës, kurse koha e tashme shpesh ndërlidhet me të kaluarën që shpërfaqet si pasojë e ngjarjes që nuk shkëputet si ngjarje kryesore.

Tutje, sipas tij, gjuha e romanit është kryesisht një gjuhë e figurshme, e cila e bën lexuesin të kridhet në zbërthimin e idesë që shprehet. Ndërkaq, stili është bashkëkohor, përkatësisht i përket realizmit magjik, ku kufiri në mes reales dhe ireales zhduket tërësisht…

Gjithashtu, duhet theksuar se, romani “Lulja e hidhur” ka fituar çmimin e 2-të në konkursin e Shtëpisë Botuese “Buzuku”, në Prishtinë.

/Shqip.com