Lajme

Bilcik: Mungesa e dialogut Kosovë-Serbi dhe marrëveshjes themelore ka krijuar një situatë të tillë

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilcik
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilcik

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilcik, ka folur për tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit. Ai ka thënë se mungesa e dialogut dhe marrëveshjes themelore ka krijuar një situatë të tillë.

Bilcik ka thënë se rruga përpara është angazhimi i të dy palëve në dialog. Sipas raportuesit sllovak, themelimi i Asociacionit do të ndikonte në uljen e tensioneve mes dy shteteve dhe sipas tij kjo do të tregonte edhe përkushtimin e Kosovës për progres në dialog.

Gjithashtu Bilcik ka thënë se ajo që ka ndodhur në Bansjskë dhe armatimi i madh që është përdorur aty s’mund të jetë vepër vetëm e individëve, dhe kësisoj ai thotë se është i nevojshëm një hetim i duhur.

“E vetmja rrugë përpara është angazhimi i vërtetë i të dyja palëve në dialog. Rritja e tensioneve, pasiguria që ndjejnë serbët në Kosovë, janë rezultat i faktit se nuk ka progres në dialog. Dhe këtu dua të theksoj sërish se ekziston një zgjidhje diplomatike relativisht e shpejtë që do të ndihmonte në uljen e tensioneve, e kjo është punë serioze në Asociacionin e Komunave Serbe. Kjo do të tregonte përkushtimin e Prishtinës dhe nëse kjo do të ndodhte, mendoj se do të shihnim përparim në dialog. Në të njëjtën kohë, është shumë e qartë se ajo që ndodhi në Banjska – përqendrimi i burimeve të mëdha, armëve, nuk mund të ishte bërë nga individë. Prandaj duhet një hetim i duhur”, thotë Bilcik në një intervistë për “Pobjeda”.

I pyetur nëse e mbështet qëndrimin e disa deputetëve të Parlamentit Evropian, të cilët besojnë se BE-ja duhet të shqyrtojë një strategji të re për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, Bilcik është përgjigjur negativisht.

“Jo, definitivisht nuk e mbështes këtë ide. Mendoj se kemi pasur një dialog prej disa vitesh. Dhe ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është e vetmja bazë që ka mbështetjen afatgjatë dhe të plotë të të gjitha institucioneve të shteteve anëtare, e në vitet e fundit edhe të SHBA-së, dhe nuk ka arsye për ta rishqyrtuar atë. E vetmja rrugë përpara është angazhimi i vërtetë i të dyja palëve në dialog. Dhe sigurisht, duke pasur parasysh ngjarjet e fundit, do të kërkojë gjithashtu një hetim të plotë për atë që ndodhi në Banjska. Në thelb, kjo është diçka që është kryesisht në duart e Serbisë dhe Beogradit. Gjithashtu, ngjarjet nuk duhet të përdoren apo abuzohen. Ne kemi nevojë për aq përkushtim nga Beogradi sa na nevojitet nga Prishtina në vetë dialogun”, ka theksuar ai.

/Shqip.com