Bilanci i Kosovës kundër Greqisë dhe cilit rekord i vie fundi sonte

Kombëtarja e Kosovës luan të dielën ndeshjen e dytë në kuadër të Ligës së Kombeve kundër Greqisë.
Takimi që zhvillohet në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45 sonte, do të jetë i pesti ndërmjet tyre.
Dardanët kanë bilanc më negativ ndaj helenëve, duke mos shijuar akoma fitore ndaj tyre.
Me tre bvarazime në tre përballjet e fundit, dy prej tyre kanë sjellur rezultatin e njëjtë (1-1), teksa ajo e vitit 2020 e luajtur në Athinë po ashtu në këtë kompeticion, përfundoi pa gola.

Tre pikë në duelin e parë arritën t’i marrin grekët, duke triumfuar me rezultat të ngushtë 1-2 në favor të tyre.
Për një kombëtare si Greqia, e cila fitoi trofeun e parë të Europianit 2004, rekordi ndaj Kosovës nuk garanton siguri se pikët i kanë në xhep.
Përkundrazi, dardanët kanë treguar dy herë në dy ndeshjet e fundit se kanë karakter dhe dijnë të rikthehen, pasi ishin në disavantazh para se të shënonin për të barazuar.

Një gjë të tillë e arriti kapiteni Amir Rrahmani si dhe Vedat Muriqi që gjeti rrjetën në minutat e fundit të takimit.
Të dyja skuadrat e kanë nisur mirë edicionin më të ri të “Nations League”, duke marrë fitore respektivisht Kosova ndaj Qipros me shifrat 0:2 ë udhëtim, dhe Greqia 0:1 ndaj Irlandës së Veriut.
Të përzgjedhurit e Alain Giresse janë të fokusuar në ruajtjen e rekordit prej katër sfidave pa humbje, me serinë që nisi pikërisht kundër kundërshtarit të sontëm.

Nga ana tjetër, Gustavo Poyet po ashtu ka një rekord për të mbajtur, atë të mos humbjes nga oponentët që gjenden më poshtë në ranglistën e FIFA-s në 12 ndeshje (6 fitore dhe 6 barazime).
Përndryshe – me fitoret e xhiros së parë – të dyja kombëtaret kanë hapur zyrtarisht kandidaturën për vendin e parë të grupit të Ligës C. /Shqip.com