Ekonomi

Bie çmimi i miellit, por jo edhe i bukës

Ilustrim
Ilustrim

Ditëve të fundit ka një ulje të çmimit në produktin e grurit, miellit. Ndonëse ky produkt ka pësuar rënie në çmim, buka vazhdon të ketë çmimin e njëjtë. Për këtë janë ankuar qytetarët, derisa furrtaret kanë dhënë arsyen se në bërjen e bukës nuk luan rol vetëm mielli, por ka dhe disa produkte të tjera.

Nga 16 euro sa kushtonte një thes më miell 25 kilogramë, aktualisht në treg 25 kilogramë miell mund të blihen për 13.50 centë.

Po pavarësisht kësaj ulje te dukshme të çmimit, produkti bazë i miellit, buka vazhdon të ketë çmim të lartë.

Për gjysmë kilogrami bukë, qytetarët e Republikës së Kosovës paguajnë 50 cent, për cka kërkojnë që të monitorohet tregu.

“Unë jam pensionist neve shumë po na dëmton, inflacioni në kupë të qiellit shkoj dhe pensionet nuk u ngritën, pastaj takimi në pronë çka po bajnë këta, çdo gjë po rritet dhe asgjë spo bajnë”, ka thënë Myrteza Osmani, raporton Dukagjini.

“Vet faktin që nafta është lirua është dashtë të lirohen edhe produktet e miellit siç është buka, dhe duhet mu liru gjithqysh. Është shqetësues që këtu s’po ka ulje të çmimeve”, ka thënë Behram Krasniqi.

“Qeveria duhet ti këtë inspektorët dhe të përcjellin çdo ngritje, e ulje , s’ka qytetarë që nuk shqetësohet për këto çmime”, ka thënë Emir Hoti.

E furrtarët arsyetohen pse ky çmim nuk është ulur, njëjtë sikurse çmimi i miellit.

“Artikujt e tjerë janë më ngritje të lartë dhe nuk ka pasur ulje të çmimeve, siç janë  drutë po ashtu edhe produkteve e tjera. Nuk luan rol vetëm mielli për të përgatitur bukë, është edhe  rryma, fuqia punëtore të gjitha përfshihen”, ka thënë furrtari, Nusret Çollaku.

Derisa për kryetarin e Shoqatës “Konsumatorit”, Selatin Kaçaniku, është shqetësuese se si institucioneve nuk ju intereson për qytetarët.

“Pika e cila neve na dhembe çdo vite është buka ose është gruri, që do të thotë se Qeveria nuk po merret më qytetarin e konsumatorin pasi është taksa pagues, ne jemi edhe financues të shtetit por askujt nuk I intereson për konsumatorët, Qeveria gabimin më të madh e bënë kur interferon në çmime”, ka thënë Kaçaniku.

Ndërkohë nga shoqata e Mullistëve kanë thënë se kjo gjendje po ndodhë si pasojë e mungesës së inspektorëve në terren.

Ngritja e çmimit të miellit u bë gjatë vitit 2022 me arsyen se Lufta në Ukrainë ka goditur edhe ekonominë e Kosovës.

/Shqip.com