Ekonomi

Bie blerja nëpër dyqane në Kosovë pas shkuarjes së bashkatdhetarëve

Nga përfundimi i sezonit të verës veçanërisht nga shkuarja e bashkatdhetarëve në masë të madhe kanë rënë blerjet në Kosovë.

Bizneset thonë se një gjë e tillë është vërejtur që nga kthimi i bashkatdhetarëve në vendet e tyre ku jetojnë. Ata konsiderojnë se ditëve të fundit kanë rënë blerjet për 70 për qind, për çka vlerësojnë se diaspora po e mban ‘gjallë’ Kosovën.

Kthimi i tyre po vërehet edhe nga qytetarët, të cilët shprehen se rrugët tashmë janë boshe dhe gjithçka duket më e zbehtë.

Pronari i një dyqani në Vushtrri, Avni Dushi, ka thënë se nga fillimi i këtij muaji vërehet dukshëm rënia e fluksit të mërgimtarëve, derisa ka shtuar se ka edhe rënie të punës për rreth 80 për qind.

Edhe shitësi i cigareve, Jeton Pantina, ka pohuar se nga shkuarja e mërgimtareve ka rënie të shtijës për rreth 50 për qind.

Po ashtu, edhe shitësi me produkte vendore, Haki Pllana ka thënë se nga shtatori ka rënie të shitjes për rreth 50 për qind.

Për kontributin e madh të diasporës flasin edhe qytetarët.

Qytetarët, Rexhep Krasniqi dhe Mahmut Qirezi kanë thënë se me ardhjen e diasporës gjallërohet edhe vendi, po ashtu rritet ekonomia e vendit.

Se vërehet dukshëm mungesa e mërgimtarëve në vend, e ka thënë dhe qytetari, Skënder Shahini.

Ndërkaq, njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj ka thënë se e vetmja mundësi që sjell më shumë të ardhura në vend, është diaspora, porse sipas tij, fuqia ekonomike që po sjellin mërgimtarët nuk po kthehet në investime të duhura.

Bashkatdhetarët përveç remitencave, kontribuojnë edhe me shpenzimet e tyre gjatë vizitave në Kosovë në pushimet verore dhe gjatë festave në dimër.

Ndërsa, vlera remitencave në gjashtë muajt e parë të këtij viti ka arritur 635 milionë euro, që paraqet rritje prej 13 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Deri tash dërgesat e shumta nga diaspora nuk është që janë kanalizuar në investime, pasi shpesh institucionet janë fajësuar se nuk krijuan kushte dhe ofertë të veçantë për tërheqjen e investitorëve. /KP

/Shqip.com