Lajme Botë

Biden i bindur se Putin do ta pushtojë Ukrainën

Putin dhe Biden

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të premten se Shtetet e Bashkuara besojnë se presidenti rus, Vladimir Putin, ka vendosur të kryejë një sulm ndaj Ukrainës “në ditët e ardhshme”.

“Ne kemi arsye të besojmë se forcat ruse po planifikojnë dhe synojnë të sulmojnë Ukrainën në javën e ardhshme, në ditët në vijim”, tha Biden. 

“Ne besojmë se ata do të synojnë kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, një qytet me 2.8 milionë njerëz të pafajshëm.”

Deklarata vjen pasi një numër i jashtëzakonshëm forcash ruse përparojnë në krahun verior dhe lindor të Ukrainës.

Në fjalimin e tij të dytë këtë javë, Biden përsëriti angazhimin e SHBA-së për të mbrojtur aleatët e NATO-s nëse kriza në kufirin e Ukrainës me Rusinë kalon në një luftë gjithëpërfshirëse.

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë janë të përgatitur të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s nga çdo kërcënim për sigurinë tonë kolektive”, tha Biden, duke evokuar rregullin e Nenit 5 të aleancës.

Një gur themeli i aleancës prej 30 anëtarësh është parimi i mbrojtjes kolektive, i njohur si  Neni 5, i cili thotë se një sulm ndaj një vendi të NATO-s është një sulm ndaj të gjithë aleatëve.

Kremlini ka mohuar që më shumë se 150,000 trupa ruse të pajisura me pajisje të avancuara ushtarake përgjatë kufijve të Ukrainës po përgatiten për një pushtim. 

Më herët të premten, Biden miratoi një dislokim të ri të më shumë trupave dhe pajisjeve ushtarake amerikane në aleaten e NATO-s, Hungarinë./SHQIP.com