Kulturë

Bibliografia e revistës “Gjuha shqipe” (1982-2022)

Me rastin e 40-vjetorit të revistës “Gjuha shqipe”, organ i Institutit Albanologjik, ka përgatitur Bibliografinë e plotë të saj. Deri më tani, janë botuar 86 numra, me 1314 njësi bibliografike, të 1320 autorëve. Revista filloi të botohej 10 vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit, për t’u bërë tribunë e rëndësishme për gjuhën standarde shqipe.

Autori i kësaj Bibliografie, Abdurrahim Maxhuni, njëherësh bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik, në Degën e Gjuhësisë, për Shqip.com ka thënë se Bibliografia e revistës është ndarë në tri pjesë: Renditja kronologjike, Renditja alfabetike e autorëve dhe Renditja sipas rubrikave.

“Renditja kronologjike
, që nënkupton paraqitja e saj ashtu siç është botuar ndër vite, Renditja alfabetike e autorëve, të gjitha punimet renditet alfabetikisht në bazë të emrit të autorëve. Pra, nëse një autor ka disa punime të botuara në numra të ndryshëm, renditen në bazë të emrit të tij, si dhe Renditja sipas rubrikave. Revista e ka ruajtur strukturën që nga numri i parë. Kështu, ne i kemi pasqyruar 11 rubrika: Fjalë përshëndetëse, Studime, artikuj e kumtesa, Diskutime, Gjuha në praktikë, Kritika dhe recen­sione, Materiale, thesari leksikor, fjala e rrallë shqipe, Kro­nika shkencore, Bibliografi, Përvjetorë, Biseda e intervista, In Memoriam. Deri më tani, janë botuar 86 numra të revistës, me 1314 njësi bibliografike, të 1320 autorëve”, ka thënë Maxhuni.

Përgatitja e një bibliografie kërkon mund e përvojë të gjatë. Sigurisht se edhe autorin Maxhuni e kanë ndihmuar përvojat e autorëve të tjerë, të cilët kanë botuar bibliografi për fusha të ndryshme të albanologjisë.

“Vështirësitë që i kemi hasur gjatë hartimit të kësaj bibliografie janë të natyrave të ndryshme: gjetja e çdo numri të revistës, kujdesi i shtuar në shkrimin e numrave, faqeve e viteve të botimit. Pastaj, krahasimi i përmbajtjes së revistës me punimet brenda në revistë, të cilat mund të pasqyrohen me probleme teknike etj.”, vijoi tutje Maxhuni për Shqip.com.

Nëse e kemi parasysh mendimin e Tahir Foniqit, se “bibliografia është veprimtari intelektuale e bazë e hulumtimeve shkencore. Ajo pasqyron e ruan trashëgimin kombëtare për gjenerata të tera. Pa bibliografi nuk ka punë shkencore”, atëherë mund të themi se rëndësia e saj, po edhe sipas autorit, është e shumanshme. Përveç që e pasqyron dhe e ruan pasurinë e saj që gjendet brenda kopertinave, ajo ndihmon në punët hulumtuese rreth temave të trajtuara në revistë, gjë që është ndihmesë e madhe për studiuesit që hulumtimin e tyre ta kenë më të lehtë.

/Shqip.com