Kulturë

Besnik Mustafaj / Fluturat e mbrëmjes

Besnik Mustafaj / Poet
Besnik Mustafaj / Poet

FLUTURAT E MBRËMJES

Fluturat e mbrëmjes,
rendin qorrazi
drejt llampës.

E digjen,
e zhduken
me një krëkëllimë
të zbehtë
sa për të lënë
një si
gjurmë loti
mbi faqen e jashtme
të heshtjes,
atje ku dhimbja
nuk dhemb
madje as si përshypje
për syrin tim.

Para hiçit
te vdekjes
së tyre
(as hiri nuk mbetet)
enigmë është
veç verbëria
që i çon
ashtu bindshëm
drejt fundit.

Si do të ndryshonte
joshja e fluturave
ndaj burimit
përvëlues të dritës
sikur njëra syresh
makar
të kishte qenë
në këtë jetë
a në një jetë tjetër
edhe një ditë të vetme
grua?

(Një poezi e shkëputur nga libri “Biri i Adamit”, të poetit Besnik Mustafaj)

/Shqip.com