Lajme

Berjani paralajmëron ulje të çmimeve karburanteve fton qytetarët t’i drejtohen prokurorisë nëse dyshojnë në manipulim

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani

Në Kosovë do të ketë ulje të çmimit të derivateve të naftës deri në 1 e 40 centë.

Kështu ka paralajmëruar kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani i cili ka deklaruar se tregu i karburanteve është duke u stabilizuar.

“Këto ditët në vijim s’ka nevojë të pyetet për rritje të çmimit por për zbritje të çmimit. Çmimet sillen 1 euro e 49 cent dizeli deri në 1 euro e 52 cent, benzina është 1.40. Qytetarët janë duke u shërbyer me çmime të reja ku dihet se në Kosovë piku më i lartë i derivateve ka qenë 1 euro e 82 cent ku ka zbritur 1 euro e 50 cent Çmimet janë duke rënë”. ka thënë Berjani

Kurse sa i përket dyshimeve për manipulimet me çmimet e karburanteve ai ka ftuar qytetarët që për këtë çështje t’i drejtohen prokurorisë. Mirëpo thotë se shumica e kompanive janë duke punuar me humbje shkaku që kanë blerë derivate me çmim shumë më të lartë.

“Nuk ka marrëveshje për rritje as për zbritje. Shumica e kompanive janë duke punuar me humbje shkaku që kanë marrë derivate me çmim shumë të lartë dhe tash duhet të shiten me çmim të ulët. Nuk ka manipulim me çmime. Aty ku ka manipulim ju kisha lutur ti drejtoheni hetuesisë dhe a prokurorisë. Manipulim me çmime nuk duhet të ketë në tregun e Kosovës sepse dihet se sa është gjendja e rëndë ekonomike”. ka thënë ai.

Sipas Berjanit, nafta është mjaft cilësore dhe gradualisht Kosova do të ketë derivate mjaftueshëm.

“Gradualisht Kosova po ikë nga kriza e derivateve të naftës dhe do të ketë derivate të mjaftueshme. Për momentin trendi është në zbritje”.ka shtuar ai.

Në katër e muajt e fundit në Kosovë në vazhdimësi ka pasur rritje të çmimeve të karburanteve. Kjo është shoqëruar edhe me rritjen e çmimeve të produkteve tjera dhe të shërbimeve.

Tani me rënien e çmimeve të derivateve kërkohet të ulen edhe çmimet në produktet dhe shërbimet e tjera./Shqip.com