Lajme

Berisha: Rama nuk ka synim tjetër, veç mashtrimit dhe vjedhjes

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur ditën e sotme para demokratëve të Bulqizës në 32-vjetorin e themelimit të degës së PD në këtë qytet.

Nga Bulqiza Berisha deklaroi se vendi po përballet me një monizëm të ri që bazohet në krim, drogë dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë.

Berisha deklaroi se kryeministri Rama nga mëngjesi deri në darkë “me balluket dhe stërballuket e tij”, nuk ka synim tjetër veç mashtrimit dhe vjedhjes.

Ai vijoi duke thënë se kreu i qeverisë ka ngrënë dreka me “armikun e SHBA-ve” të cilat kanë kushtuar 10 mijë euro, ndërsa ministrja Balluku ka “këputur biftekë nga 1000 euro”.

Sipas tij një zyrtar nuk mund të “lëshohet” në luks dhe shfrenim, pasi i vetmi shpjegim është vjedhja e parave publike.

“Pas 32 vitesh ne përballemi me një monizëm të ri. Ky monizëm nuk bazohet më në doktrinën marksiste-leniniste por në krimin, drogën dhe vjedhjen tuaj. Bazohet në urrejtjen e qeveritarëve ndaj qytetarëve. Bazohet në diskriminimin masiv të këtyre qytetarëve. Ndaj dhe ne jemi sot në këmbë. Jemi përsëri në një besë se do ecim të sigurtë drejt fitores sonë. Sot ne kemi para jush kandidatë të shkëlqyer. Ky nuk është armik i demokratëve por mbarë shqiptarëve”, ka thënë ai.

Tutje, sipas tij, nga viti 2014 deri në 2022, nga ky regjim u larguan nga vendi 937 mijë shqiptarë vetëm drejt BE. “Nga këta shumica nën 32 vjeç. Asnjë luftë apo epidemi e pushtim nuk ka shkretuar shqiptarët sa Edi Rama. Edi Rama nga mëngjesi deri në darkë me Balluket dhe stërballuket nuk ka asnjë synim, vetëm t’u mashtrojë ju që të vazhdojë vjedhjen. Nëse hidhini sytë sot në Shqipëri, pasuria më e madhe ndodhet në Bulqizë edhe pse janë nxjerrë miliona tonë krom. Hidhni sytë këto vite, sikur dilni nga një luftë, me rrugë të shkatërruara”, ka thënë ai, shkruajnë mediat në Shqipëri.

“Koha ka ndaluar, për ju njerëz punëtorë dhe me intelektualë të fuqishëm, sepse edhe rentën e hoqi, sepse oligarkët i paguan atij ryshfetin dhe ua hoqi rentën që ju duhet të përfitoni me ligj. A do vazhdojmë ne kështu? Këta nuk kanë shpirt, as ndjenja. Si mund të mendojë për fëmijët në Ostren apo në fshatra ai që ulet e drekon me armikun e SHBA-ve, 10 mijë euro darkën. Si mund të mendojë për fëmijët Ballukja që këput biftekun 1000 euro”, tha mes tjerash Berisha.

/Shqip.com