Lajme

Berisha pas tensionit në Komision: S’kërkoj falje ndaj zotit “Sfeklla”

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha

Kryetari i Komisionit për Siguri dhe Çështje të Mbrojtjes, Bekë Berisha, thotë se nuk do t’i kërkoj falje ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, pas tensioneve të krijuara të martën në këtë komision, transmeton Shqip.com.

Derisa foli për këtë çështje, Berisha vazhdoi t’i drejtohej Sveçlës me emër serb, duke thënë se “nuk i kërkoj falje zotit ‘Sfeklla’”.

“Jo, nuk i kërkoj falje zotit ‘Sfeklla’. Zoti ‘Sfeklla’ duhet me pasë kujdes, i din rregullat, kur vjen aty nuk duhet me provu me prishë situatën përndryshe interesimi jonë ka qenë veç për me u përgjigj, unë pyetjet ia kam nda, pres me u përgjigj ose përndryshe do të thërrasim ministrin në interpelancë”, ka thënë Berisha gjatë një lidhjeje direkte në ‘Info Magazinë’.

Kryetari i Komisionit për Siguri dhe Çështje të Mbrojtjes, Bekë Berisha

Sipas Berishës, ministrin dhe drejtorin e policisë i kishte ftuar ndaras nga njëri-tjetri për të raportuar, andaj sipas tij ata nuk do të duhej të shfaqeshin bashkë, “Sveçla e paraqiste drejtorin si të ishte staf i tij”.

“S’kam pasë pse me hi te rendi i ditës kur m’u kanë shfaqë të dy bashkë duke e paraqit drejtorin e policisë si staf të kabinetit. Aty kam reagu pastaj ka fillu show i ministrit bashkë me deputetët e pozitës edhe kam reagu ashtu si kam reaguar”, ka thënë Berisha.

“Kam bërë ftesë për ministrin në ora 10 edhe kam bërë ftesën për drejtorin në orën 11, do të thotë kam pritë që ministri të raportojë në ora 10 kurse drejtori i policisë ndaras në ora 11”, ka vazhduar ai.

Sipas tij, ky është skenar i përgatitur nga deputetët e Vetëvendosjes të cilët po e përdhosin mbikëqyrjen parlamentare mbi institucionet e sigurisë duke improvizuar takime dhe raportime të qeverisë vetëm me deputetët e tyre.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, janë larguar nga salla e mbledhjes ende pa filluar raportimi para Komisionit Parlamentar për siguri dhe çështje të mbrojtjes.

Teksa po largoheshin, Sveçla dhe Mehmeti, kishin përplasje verbale me disa nga deputetët që janë anëtarë të këtij Komisioni.

Debati midis Sveçlës dhe anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Siguri

Kurse, kryetari i Komisionit, Bekë Berisha, tha se ata janë ftuar secili veç e veç e jo së bashku, gjë që e kundërshtuan ministri dhe drejtori.

Tutje, Berisha i është drejtuar Sveçlës me akuzat se “ti ke bërë gabime të mëdha, nuk je i zoti të përgjigjesh pa e pasur atë aty (drejtorin e Policisë)”. /Shqip.com