Lajme

Berisha fjalim nga ballkoni, sulmon biznesmenët Samir Mane dhe Behgjet Pacolli

Si çdo mbrëmje, kryetari i PD, Sali Berisha mban fjalimin nga ballkoni ku ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit 2023. Mbrëmjen e sotme, ish-kryeministri është fokusuar te turizmi. Përgénjeshtron shifrat e Edi Ramës për 10 mln turistë.

Sipas Berishës, shifra e 10 mln turistëve nuk përputhet me numrin e deklarimeve të hoteleve. Qeveria flet për rreth 500 mln euro të arkëtuara nga turizmi, Berisha thotë janë vetëm 8 mln euro.

Më tej, Berisha vuri në shënjestër të tij dy investimet madhore të qeverisë, tunelin e Llogarasë që lidh Himarën me Vlorën dhe aeroportin ndërkombëtar të Vlorës. Deklarata të cilat më tepër duken si sulme ndaj biznesmenëve Samir Mane që ka ndërtuar Green Coast në Palasë, një prej resorteve më moderne në Mesdhe dhe Behgjet Pacollin që po bën Vlorën me aeroport.

Deklarata e Berishës nga ballkoni:

Pra, miqtë e mi nga turizmi 10.1 milionë i Edi Ramës fitojnë një grusht trafikantësh. Një grusht miqsh klientelë e Edi Ramës. Kurse qytetarët fitojnë nga TVSH-ja e tyre, shumën më qesharake në botë, 8 milionë euro. Shqipëria është i vetmi vend i planetit, ku turistët flenë vetëm gjysëm nate. Ky është turizmi i hiçit, sepse në përcaktimin e Organizatës Botërore të Turizmit, turist quhet personi që fle të paktën një natë në vendin ku shkon. Ata që flenë vetëm gjysëm nate janë turistë të Edi Ramës, por jo të shqiptarëve.

Ky është një turp dhe një faqe e zezë. Dhe këta me pagesa që i bëjnë Edi Ramës, gllabërojnë çdo vit 400 milionë euro investime në mënyrën më kriminale. Këto janë vetëm për resortet, se të marra në tërësi, gjoba e tmerrshme e shqiptarëve nga turizmi tejkalon çdo imagjinatë mbi tokë.

Tuneli turistik i Llogarasë u kushton shqiptarëve 20 mijë euro për shtrat turistik. Tuneli turistik i Llogarasë u kushton shqiptarëve 12 mijë euro për banor në kulmin e turizmit. A ka ndëshkim më të madh për qytetarët e këtij vendi se sa një hajdut i marrosur nga vjedhja dhe hajnia. Nuk njeh ligj dhe as kufi, por gjobit në mënyrë të tmerrshme qytetarët e tij.

Aeroporti i Vlorës, që Ballukja e reklamon si më të madhin në Ballkan, po ja ku është aeroporti i Rinasit, e pati kompania Hochtief, e zgjeroi njëherë dhe priti 3 vite, 4 vite dhe e zgjeroi përsëri. Tani po privati po e zgjeron përsëri.

Por tani ti ndërton aeroportin e Vlorës, duke i detyruar shqiptarët të paguajnë vitin e parë të paktën 300 mijë bileta pasagjerësh që nuk do vijnë.

Sepse kontrata është që shteti do i paguajë ndërtuesit çdo biletë të 600 mijë biletave.

A ka gjobë më të madhe?

A ka mënyrë tjetër për të shndërruar turizmin në mallkim për shqiptarët nga kjo racë e shpifur hajdutësh? U bëj thirrje medieve, mos damkosni veten me propagandën vulgare.

Thuajuni të vërtetat shqiptarëve. Merrni ekonomistët në studio të tregojnë këto që them unë. Të dinë se si Edi Rama shndërroi pasurinë më përrallore të shqiptarëve në ndëshkim dhe mallkim për qytetarët shqiptarë. Shpresa e vetme jeni ju,

Ndaj dhe të gjithë në betejë për të shndërruar këtë pasuri përrallore në mirësi për çdo qytetar të këtij vendi. Për të shndërruar këtë pasuri përrallore në pasuri për çdo qytetar të këtij vendi.

/Shqip.com