Sport Ndërkombëtar

Benzema vendos rekord negativ

Karim Benzema shihet si fituesi i sigurt i “Topit të Artë” por ai e ka edhe një pikë të dobët, gjuajtjen e penalltive. Gjatë këtij viti, ai ka dështuar në 5 penallti, ndërsa që gjërat të jenë edhe më keq, tri prej tyre i ka humbur ndaj Osasunas, duke vendosur rekord negativ. Kjo është hera e parë në historinë 93-vjeçare të La Ligas, që një futbollist dështon në tri penallti të njëpasnjëshme ndaj të njëjtës skuadër, përkatësisht të njëjtit portier. Në këtë mënyrë, portieri i Osasunas, Sergio Herrera ka hyrë në histori të La Ligas.

Ndërsa, trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti e ka pranuar se para ndeshjes me Osasunan ka menduar të ndërrojë  gjuajtësin e penalltive.

“Karim ka shënuar në dy penalltitë më të rëndësishme ndaj Manchester Cityt në sezonin e kaluar, pasi më parë kishte dështuar në dy penallti ndaj Osasunas. Ishte edhe mungesë fati, që mund t’i ndodhë çdokujt. Dhe ndodhi sërish ndaj Osasunas”, ka thënë Ancelotti. Te Real Madrid ka futbollistë që shquhen për gjuajtjen e penalltive, siç janë Eden Hazard e Toni Kroos, por duket se sulmuesi francez e ka besimin e plotë të trajnerit. “Benzema do të vazhdojë t’i gjuajë penalltitë”, ka qenë i prerë Ancelotti.