Bellaqa: Të lejohet tërheqja e Trustit, paratë janë të qytetarëve – jo të shtetit

Ngritja e çmimeve në secilin sektor derisa pagat qëndrojnë të njëjta – ka vështirësuar jetën e qytetarëve në Kosovë.
Andaj, tërheqja e fondit pensional po shihet si një mundësi e mirë për të zbutur krizën socio-ekonomike.
Njohësi i fushës së ekonomisë Jakup Bellaqa thotë për Shqip.com se tërheqja e Trustit do të ishte “infuzion” për kosovarët.
“Fondi i Kursimeve të Trustit janë mjete të lira dhe jo të shtetit, për shkak të situatës të rënduar socio-ekonomike dhe ngritjes së çmimeve enorme jeta është bërë e papërballueshme dhe jeta po i godet familjet që janë në varfëri të skajshme të cilat i kanë pagat e ulëta. Tërheqja e Trustit do të kishte qenë një infuzion”, tha Bellaqa.

Ndërsa thekson se tërheqja e Trustit është çështje individuale dhe secili person vendos nëse ka dëshirë t’i shfrytëzojë apo jo.
Bellaqa, ndër tjerash propozon që “qeveria t’i subvencionojë qytetarët” në rast se lejohet tërheqja e Trustit.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, pas mbledhjes së Kryesisë tha se kjo parti nuk mbështet tërheqjen e Trustit, ndërsa përmendi se do të përdorin modalitete të tjera.
E njohësi i ekonomisë, thotë se ndër modalitetet që mund të përdoret është miratimi i Ligjit të Pagave.
“Të rritet dhe të miratohet paga minimale, të miratohet Ligji i Pagave, të ketë paketë mbështetëse për kategoritë sociale njëkohësisht duhet t’i mbështesë edhe bizneset do të thotë sektorin privat, dhe në sektorin publik të miratohet Ligji i Pagave”, tha Bellaqa për Shqip.com.
Gjithsej 427 mijë e 371 qytetarë të Kosovës bënë tërheqje të shumave të ndryshme nga Fondi i Kursimeve Pensionale, aplikim ky që filloi nga 11 dhjetori i vitit 2020 dhe që mbaroi më 06 prill të këtij viti.
Për katër muaj sa zgjati aplikimi për tërheqje të 10 për qind të shumës së kursyer nga Fondi Pensional nga qytetarët, vlera e tërhequr ishte mbi 197 milionë. Fond ky që deri në 120 milionë euro pritet të rimbursohen në afat prej 5 viteve të ardhshme./Shqip.com