Belind Këlliçi: Nuk është halli te Sali Berisha, Rama kërkon të zhdukë opozitën!

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi akuzon kryeministrin Edi Rama se po kërkon të shkatërrojë opozitën e për këtë arsye po sulmohet lideri i saj Sali Berisha.
Në një intervistë për Euronews Albania, Këlliçi tha se anëtarët e Kryesisë së PD s’kanë qenë kurrë më pasionantë se këtë herë dhe kjo sepse, sipas tij, janë të bindur që bëhet fjalë për përballjen finale me pushtetin dhe Edi Ramën.
Këllicci thekson se po goditet kundërshtari politik, nga përdorimi i sistemit të drejtësië, si asnjëherë më parë në Shqipërinë e 32 viteve pluralizëm.
“S’i kam parë kurrë më pasionantë anëtarët e Kryesisë sepse jemi të bindur që jemi në përballjen finale. Edi Rama i ka shpallur luftë të hapur Partisë Demokratike, i ka hapur luftë opozitës, i ka shpallur luftë pluralizmit dhe tashmë të mëdhenj e të vegjël, të rinj e njerëz me përvojë brenda Partisë Demokratike bien dakord që ky është akti i fundit që kërkon një përballje shumë të fortë, që kërkon sakrifica shumë të forta dhe që nuk ka të bëjë me zotin Berisha. Po goditet trashëgimia e Partisë Demokratike, po goditen reformat e Partisë Demokratike dhe po goditet kundërshtari politik si asnjëherë më parë,” – u shpreh Këlliçi.
Drejtësi apo goditje politike ndaj Sali Berishës?
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit në Shqipëri (SPAK) ka vendosur masën e “arrestit me burg” për Jamarbër Malltezit, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai u arrestua të shtunën në mbrëmje. Ai akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash” dhe po hetohet në lidhje me privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”.
Për këtë çështje dyshohet për korrupsion pasiv dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. SPAK-u njoftoi se ia ka caktuar Berishës masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” si dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, nuk ishte pjesë e procesit të hënën dhe të martën në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por u përfaqësua nga avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi. Berisha nuk ka pranuar të takojë oficerët e policisë gjyqësore dhe as të firmosë se është informuar se ndaj tij është caktuar një masë sigurie.
Berisha doli para mediave duke përsëritur qëndrimin se akuzat janë politike dhe të pabazuara, ndërsa akuzoi SPAK-un se po i shërben Qeverisë të udhëhequr nga kryeministri, Edi Rama. Ai theksoi se nuk do të paraqitet para gjykatës, pasi respekton Kushtetutën e vendit. I pyetur nëse do të shkojë në gjykatë nëse thirret, Berisha u shpreh se Kushtetuta nuk lejon kufizimin e lirisë së deputetit.
Akuzat e SPAK
Në një kallëzim të dorëzuar në vitin 2020 në SPAK nga Taulant Balla, tani ministër i Brendshëm, thuhet se “sipas të dhënave të Agjencisë së Pronave toka në fjalë ka qenë e pronarëve, por ajo i kaluar shtetit dhe në vitin 1940 ata janë dëmshpërblyer nga qeveria italiane, pasi vendi ynë ishte pushtuar nga Italia.”
Kompleksi sportiv “Partizani”, me një sipërfaqe prej 26 mijë metrash katrorë, u privatizua në vitin 2008, deri në atë kohë ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes.
Rreth 22 mijë metra katrorë i përkisnin 64 trashëgimtarëve të pesë familjeve të ish-pronarëve, mes tyre edhe Jamarbër Malltezi, ndërsa 4 mijë metra katrorë të tjerë ishin pronë shtetërore. Në fund të procesit të kthimit të kësaj prone, Jamarbër Malltezi arriti të marrë 35 për qind të të gjithë pronës, duke përfshirë këtu edhe pjesën që ishte tokë shtetërore.
Sipas padisë së dorëzuar në SPAK, kjo është bërë përmes vendimeve të dyshimta të Qeverisë së Sali Berishës. Në atë sipërfaqe të përfituar, Jamarbër Malltezi së bashku me ortakun e tij, Fatmir Bektashi, kanë ndërtuar disa kulla.
Për këto ndërtime, në kallëzimin e dorëzuar në Prokurori, theksohet se nuk dihet burimi i të ardhurave. Për këtë çështje janë thirrur në SPAK disa ish-ministra të Mbrojtjes dhe të Ekonomisë nga Qeveria e atëhershme e Berishës.
Ish-kryeministri Sali Berisha, dhe familja e tij, përfshirë edhe dhëndrin Jamarbër Malltezi, janë shpallur persona të padëshiruar (non grata) nga Shtetet e Bashkuara, nën dyshimet se janë të përfshirë në korrupsion të lartë dhe cenimit të demokracisë.
/Shqip.com