Lajme Ballkan

BE s’e harron përgjegjësinë që kishte për parandalimin e gjenocidit në Srebrenicë

Kryediplomati i BE-së, Josep Borrel dhe Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi

Bashkimi Evropian ka përkujtuar gjenocidin në Srebrenicë, në përvjetorin e 26-të, duke thënë se detyrë e përbashkët e të gjithëve është të kujtohet përgjithmonë kjo masakër, njofton Shqip.com.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell dhe komisionari Oliver Varhelyi, thuhet se ata nderojnë kujtimin e të gjitha viktimave të kësaj masakre dhe ata persona që ende janë të zhdukur.

“Evropa nuk e ka harruar përgjegjësinë e saj për të mos qenë në gjendje të parandalojë gjenocidin e Srebrenicës, një nga krimet më të këqija në historinë moderne të Evropës”, thuhet në njoftim.

“Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri. Gjenocidi është gjenocid, qoftë në Srebrenicë apo gjetkë. Gjykatat ndërkombëtare, gjykatat e brendshme në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në vendet fqinje duhet të vazhdojnë të sigurojnë drejtësi për të gjitha viktimat e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, si dhe për anëtarët e familjes së tyre. Paqja mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësinë”, bëhet e ditur në komunikatën e lëshuar.

Tutje, thuhet se BE-ja është e përkushtuar shumë për ta mbështetur Bosnje dhe Hercegovinën në krijimin e një shoqërie të ankoruar në pluralizëm, drejtësi dhe dinjitet njerëzor dhe për të ndërtuar një të ardhme së bashku në të cilën konfliktet dhe mizoritë nuk janë më të mundshme. /Shqip.com