Lajme Botë

BE-ja ndan edhe 325 milionë euro për refugjatët në Turqi

Refugjatët/Ilustrim

Bashkimi Evropian ka njoftuar se do të shpërndajë edhe 325 milionë euro për refugjatët në Turqi të enjten e 2 dhjetorit, si pjesë e planit të ndihmës për këtë shtet.

Turqia aktualisht strehon numrin më të lartë të refugjatëve në botë, raporton REL.

BE që në qershor kishte miratuar planin për ta ndihmuar Turqinë me tre miliardë euro nga 2021-ta deri më 2024-tën për të ndihmuar miliona refugjatë sirianë të strehuar në Turqi.

Fondet do t’u shpërndahen vetë refugjatëve, duke ndihmuar kështu më shumë se 1.5 milionë njerëz për të mbuluar nevojat bazë si ushqimi, qiraja, transporti apo ilaçet.

Turqia strehon më shumë se pesë milionë refugjatë dhe migrantë shumica prej tyre të ikur nga lufta në Siri, dhe mbetet rruga e preferuar për të tjerë njerëz që ikin nga konflikti për të hyrë në Evropë. /Shqip.com