BE-ja ndan 14.2 miliardë euro për shtetet që janë në proces të zgjerimit, përfiton edhe Kosova

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar ndarjen e 14.2 miliardë eurove si ndihmë financiare për shtetet që janë në proces të zgjerimit, përcjell Shqip.com.
Këto mjete financiare do të vlejnë për periudhën 2021-2027, kurse shtetet përfituese janë Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Islanda, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia.
Përmes një deklarate, BE-ja ka bërë të ditur se këto mjete do t’u ndihmojnë atyre që të zbatojnë reforma, me synim anëtarësimin e ardhshëm në BE.
Por, ndihma financiare nuk do të jetë pa kushte, dhe se do të ndryshojë në sasi dhe intensitet, varësisht performancës së përfituesve.
“Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet përpjekjeve të bëra në fushat e reformave themelore (sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, institucionet demokratike dhe reforma e administratës publike, si dhe zhvillimi ekonomik dhe konkurrenca)”, thuhet ndër tjerash në deklaratën.
Po ashtu bëhet e ditur se shtrirja dhe intensiteti i ndihmës mund të pësojnë modifikime, në rast të mungesës së vazhdueshme të përparimit të përfituesve në fushat e reformave themelore./Shqip.com